Rajon & Botë

Britania e Madhe s’e hedh poshtë mundësinë për sulm ushtarak ndaj Koresë Veriore

Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ka thënë se mundësia për veprim ushtarak kundër Koresë Veriore duhet patjetër të mbetet teorikisht në tavolinë gjatë diskutimeve rreth krizës bërthamore të vendit të izoluar.

Duke folur sot në Londër, Johnson ka thënë se është obligim i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ta mbajë në dispozicion mundësinë për sulm parandalues kundër regjimit të Kim Jong Un, transmeton Express.

“Është obligim i cilitdo president të SHBA-së duke qenë se vendi i tyre përballet me një kërcënim nga Koreja Veriore e armatosur me armë bërthamore, që të paktën t’i shqyrtojë dhe t’i mbajë në tavolinë ato opsione ushtarake”, ka thënë Johnson.

I pyetur nëse Britania do ta përkrahte sulmin parandalues kundër Koresë Veriore, dhe nëse ka ardhur koha që bota ta pranojë Korenë Veriore në mesin e shteteve që posedojnë armë bërthamore, Johnson theksoi se parapëlqen rrugë produktive, si për shembull bisedime të drejtuara nga Kina.

Megjithatë, ai ka thënë se opsioni ushtarak duhet të mbetet në tavolinë. /Express/

the authorE B