Sport

Boston i pandalshëm, shënon fitoren e 15-të më radhë

Në stinorin e tij të parë te Boston Celticsat pasi kërkoi largim nga Clevelandi, Kyrie Irving është duke përjetuar një start të furishëm, pasi çdo gjë po ndihet e re. Bostoni i tij është në një seri prej 15 fitoreve rresht

“Shumica prej nesh nuk kanë qenë kurrë në një seri të tillë të fitoreve. Madje nuk e di nëse e dimë se si t’i kushtojmë vëmendje gjithë kësaj. Unë mendoj se çdo ndeshje ne e marrim vetëm si sfidë të re”, ka deklaruar Irving.

Irving ka shënuar 30 pikë, Jaylen Brown ka realizuar rekord të karrierës prej 27 pikëve dhe Boston Celtics triumfoi ndaj Atlanta Hawks, në udhëtim të shtunën mbrëma me shifrat 110:99.

Me një bilanc prej 15 fitoresh e dy humbjesh, Boston ka bilancin më të mirë këtë stinor dhe ka barazuar rekordin e klubit pas 17 ndeshjeve, shkruan AP, transmeton “Koha Ditore”. Seria e fitoreve është në Top 5 prej më të gjatave në histori të klubit, ndërsa është vetëm katër fitore larg serisë rekorde të skuadrës së stinorit 2008/09 që kishte fituar 19 ndeshje rresht.

Dennis Schroder ishte më i miri te Atlanta me 23 pikë dhe Kent Bazemore shtoi 19 sosh. Atlanta ka bilancin më të keq në Konferencën Lindore me tri fitore e 13 humbje.

“Unë ende ndiej se mund të bëjmë disa gjëra të mëdha këtë stinor. Thjesht duhet të qëndrojmë së bashku si skuadër”, thotë Schroder.

Bostoni arriti të përmbyste një disavantazh prej 16 pikëve dhe shijoi epërsinë e parë vetëm në mesin e çerekut të tretë me një treshe të Brownit. Për Bostonin është hera e katërt që ka fituar këtë stinor, ndonëse gjatë ndeshjes ka qenë në disavantazh prej 16 apo më tepër pikëve.