Disa huliganë kanë sulmuar në rrugë gjyqtarët pas ndeshjes ndërmjet Shirokit dhe Sarajevës (2:2)
Ognjen Valjiq, gjyqtari boshnjak, së bashku me kolegët Senad Ibrisimbegoviq dhe Sreten Udoviçiq janë sulmuar nga huliganët pas ndeshjes së elitës së Bosnjës.
Sipas mediave në Bosnjë, Valjiq mori disa vendime kontroverse gjatë ndeshjes, ndërmjet Shirokit dhe Sarajevës (2:2), dhe për këtë janë sulmuar në rrugë.
Skuadra mysafire, Sarajeva, që nga minuta e 25-të luajti me një lojtar më pak pas përjashtimit me karton të kuq të Sasha Baliqit. Dyshohet se sulmi u krye nga tifozët e Sarajevës.
“Ky nuk ishte kërcënim, ishte më tepër si tentim vrasje. Jam ende duke u dridhur dhe kam lot në sy. Udoviçiq dhe unë ishim rreth pesë kilometra larg qytetit kur një Ford Focus i kuq na tejkaloi dhe papritmas frenoi para nesh. Kishin qëllim të na vrasin. Disa minuta më vonë, tri vetura të tjera na tejkaluan dhe na bllokuan rrugën”, ka deklaruar Valjiq për gazetën boshnjake “Dnevni Avaz”.
“Udoviçiq arriti të shmangej me kohë. Vozitëm rreth gjysmë kilometri prapa dhe më pas e telefonuam zyrtarin e Federatës së Futbollit të Bosnjë e Hercegovinës, Salem Prolican, pasi nuk na u përgjigj policia. Ai arriti të kontaktonte policinë dhe na tregoi që të shkojmë te një vend i caktuar ku po na priste policia. Ne dhamë deklaratë. Jemi ende në shok. Ky nuk është sport”, ka theksuar ai.
Valjiq ndërkohë ka shtuar se vetura e Ibrisimbegoviqit është sulmuar me gurë dhe me shishe, derisa po largohej nga stadiumi pas ndeshjes.