Koreja e Veriut nuk iu përgjigj propozimit koreano-jugor për të marrë pjesë nesër në diskutimet ushtarake, njoftoi sot Seuli duke larguar shpresat për qetësimin e gadishullit.
“Ne nuk kemi marrë ende përgjigje”, deklaroi për gazetarët zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Moon Sang-Gyun, duke shtuar se përgatitjet po vazhdojnë në rast se Pheniani do të pranonte propozimin.
Koreja e Jugut propozoi të hënën diskutime në Panmunjom, “fshati i armëpushimit” në kufirin mes dy koreve, me qëllim për të ulur tensionet pas lëshimit me sukses të një rakete ndërkontinentale nga Pheniani më 4 korrik.
Kjo ofertë për dialog është e para që prej ardhjes në pushtet në Seul të presidentit Moon Jae-In, perceptuar si më i hapur në negociata se paraardhësja e tij.