Për një periudhë të shkurtër kohore rrugët e Kosovës u shndërruan në horror dhe të frikshme për qytetarët. Numri i veturave muajve të verës ishte i madh për shkak edhe të fluksit të bashkatdhetarëve nga diaspora. Rastet kur në një aksident trafiku shuheshin familje deri në pesë anëtarëshe trondisnin Kosovën. Për shumë familje kjo verë do të mbahet mend për humbjen e më të më të dashurve të tyre nëpër aksidente. Nga 1 janari i këtij viti deri më sot në rrugët e Kosovës kanë humbur jetën 85 persona. Në shtator numri i aksidenteve fatale ka rënë.
Shkaktarët më të shpeshtë të numrit të përgjithshëm të aksidenteve për këtë periudhën kohore sipas Policisë janë: Manipulimi i pasigurt me automjet (pakujdesia), mos mbajtja e distancës, mos përshtatja e shpejtësisë ndaj kushteve të rrugë dhe kyçje e pasigurt në rrugë.
Në shumë nga këto aksidente u përfshi edhe diaspora. Mërgimtarët shkaktuan aksidente me fatalitet me persona të lënduar dhe me dëme materiale.
Policia ka thënë për Gazetën Express këtë vit në aksidente kanë mbetur të vdekur 85 persona.
Tre muajt e verës ishin shumë të rrezikshëm për qytetarët, për këtë periudhë kohore humbën jetën 40 persona. Në qershor 10 të vdekur në aksidente, në korrik 15 persona dhe në gusht 15 persona.
Më 8 korrik, nëna, babai dhe tre fëmijët humbën jetën tragjikisht në një aksident në Biraçë të Suharekës. Kjo familje kishte ardhur nga Zvicra për t’i kaluar pushimet në Kosovë.
Më 2 gusht një mërgimtar kishte humbur jetën në një aksident në Prishtinë. Po atë ditë, në Suharekë, nga një aksident mes dy veturave, njëra me targa vendore e tjetra me targa të Francës, kanë humbur jetën dy persona, një femër dhe një mashkull (familjarë), si dhe kanë mbetur të lënduar dy fëmijë.
Sidoqoftë numri i aksidenteve me fatalitet është në rënie pasi gjatë periudhës janar-gusht 2017 humbën jetën 85 persona, ndërsa janar-gusht 2018 humbën jetën 82 persona. Ndërsa gjatë këtyre ditëve të shtatorit kanë vdekur edhe tre persona, bëhet fjalë për aksidentin ndërmjet një veture dhe trenit në fshatin Dush të Klinës.
Policia vazhdimisht po bën apel për kujdes në komunikacion, si pasojë e numrit të madh të aksidenteve është krijuar edhe një Taskë-Forcë./Gazeta Express