Vlerat dhe sfidat me të cilat përballet zhvillimi i qytetit të Beratit, ishin në qendër të një takimi mes Bordit të Drejtorëve të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe kryetarit të bashkisë Berat, Petrit Sinaj, të zhvilluar në ambientet e qendrës historike të qytetit.
Gjatë takimit, kryebashkiaku Sinaj bëri një panoramë të zbatimit të reformës territoriale në bashkinë Berat, si një reformë e suksesshme, e cila ka filluar të japë ndikimet e saj në zhvillimet lokale dhe rajonale.
Dragos Andrei, përfaqësues i Bordit të BERZH prezantoi mbështetjen e dhënë për Shqipërinë, kryesisht në sektorin energjetik dhe atë të bujqësisë. “Vitin e kaluar investimet e BERZH në Shqipëri ishin ndër më të suksesshmet duke prekur një shifër prej rreth 170 milionë euro, në ristrukturimin e sektorit energjetik, në fushën e bujqësisë dhe mbështetjen për sipërmarrjet e vogla dhe të mesme”, tha Andrei.
Sipas tij, këtë vit BERZH do të vijojë programin e mbështetjes për Shqipërinë me fokus zhvillimin e turizmit dhe në këtë kuadër do të vlerësohen projektet, të cilat do të paraqiten nga bashkia e Beratit pranë ekipit menaxhues të projekteve të BERZH në Tiranë, të cilat do të kenë fokus mbështetjen për shërbimet publike në funksion të rritjes së turizmit dhe mbështetjen e sektorit të biznesit turistik.
Ndryshe, Berati është zgjedhur si destinacion kulturor dhe historik për vizitën e delegacionit, por gjithashtu për të diskutuar nga afër mbi programet e financimit që BERZH synon të zbatojë në një të ardhme të afërt në fushën e turizmit.