Bernard Përlazeri, i cili akuzohej për vrasjen e Hekuran Morinës, të martën, është dënuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit, me dënim unik prej 22 vjetësh burgim efektiv.
Aktgjykimin e ka lexuar kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani i cili ka deklaruar se trupi gjykues, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor ka gjetur se i akuzuari Bernard Përlazeri, është fajtor për vrasjen e të ndjerit Hekuran Morina.
Trupi gjykues, të akuzuarit i ka shqiptuar dënim prej 20 vjetësh burgim, për akuzën e vrasjes së rëndë dhe 3 vjet burgim për armëmbajtje pa leje, ndërsa dënimin unik ia ka shqiptuar në lartësi prej 22 vjetësh burgim efektiv.
Të akuzuarit i është vazhduar paraburgimi deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi dhe të dëmtuarit janë udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesave pasurore-juridike.
Ndryshe, Prokuroria Speciale, me 11 nëntor 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit Bernard Përlazeri, me arsyetimin se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtjes pa leje.
Sipas aktakuzës, i akuzuari me 7 shtator 2015, rreth orës 20:30, pasi ka përcjellë lëvizjet e të ndjerit Hekuran Morina dhe vëllait të tij Fadil Morina, në lagjen “Bazhdërhane” të Prizrenit, dhe së bashku me nipat e tij të cilët gjenden në arrati, ka qëlluar mbi ta duke vrarë Hekuranin dhe plagosur rëndë Fadilin.
Pas kësaj ngjarjeje, i akuzuari Bernard Perlazeri ishte arratisur për një kohë. Ai ishte shfaqur nga arratia në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express, ku kishte pranuar se kreu vrasjen.
Pas intervistës ishte suspenduar përkohësisht drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Nexhmedin Krasniqi, pasi Perlazri kishte ngritur disa dyshime ndaj tij.
Ndërsa, nipërit e të akuzuarit, Ambroz dhe Leonard Përlazeri, ende gjenden në arrati që nga dita kur kishte ndodhur ngjarja. /betimipërdrejtësi/.