Kombëtarja e Kosovës të hënën ka zhvilluar stërvitjen e parë në Torun të Polonisë, ku është duke e mbajtur grumbullimin në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet për fazën e dytë të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”.
Pas stërvitjes së parë për faqen zyrtare të FBK-së janë deklaruar kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës, Dardan Berisha dhe Erjon Kastrati i cili u rikthye në kombëtare pas lëndimit që pësoi në fazën e parë të kualifikimeve.
“Përgatitjet i kemi filluar sot, pasi që mbrëmë të gjithë kemi arritur në Torun. Jemi shumë të lumtur që jemi kthyer prap bashkë, i dijmë qëllimet tona, por edhe e dijmë që s’ka me qenë lehtë. Sot e kemi mbajtur stërvitjen e parë në mëngjes, në mbrëmjë sërish do të kemi stërvitje. Të gjithë bashkëlojtarët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe kjo na jep motivim që të bëjmë sa më mirë në duel me Poloninë”shprehet kapiteni i Kosovës Dardan Berisha.
Berisha bënë të ditur për publikun se basketbollisti Scott Bamforth nuk ka pasur mundësi të ju bashkohet në këtë grumbullim, mirpo ardhja e Shawn Jones do të jetë një ndihmes shumë e madhe .
” Skuadra nuk është e njëjta siç ka qenë në muajin nëntor, por ne do ta japim 100% tonë në stërvitje dhe në ndeshje, si dhe do të mundohemi të bëjmë një befasi për të mposhtur një ekip të fortë siç është Polonia”shton ai.
Kurse Erjon Kastrati ndihet shumë i lumtur që është rikthyer të luaj për kombëtaren pas lëndimit, që e mbajti atë për një kohë të gjatë jashtë fushës së basketbollit dhe falenderon Federatën e Basketbollit të Kosovës që ka grumbulluar kombëtaren në Poloni disa ditë më herët, për një paraqitje sa më të mirë.
Kosova do të ballafaqohet me Poloninë më 23 shkurt duke filluar nga ora 19:00 në Wloclawek, kurse më 26 shkurt në Klaipeda do të jetë mysafire e Lituanisë, takim ky që do të luhet me fillim nga ora 19:30./Gazeta KNN/