Katër humbjet radhazi… Sigurisht që tingëllojnë shumë keq, për këdo shqiptar që e dëgjon. Edhe Mërgim Mavraj mendon në këtë mënyrë.
Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, në një intervistë për “Panorama Sport”, analizon situatën aktuale në kampin kuqezi dhe flet për ndryshimet që ekzistojnë mes skuadrës së Europianit dhe këtij aktual. Ai thotë se nuk ka pasur asnjë krisje me trajnerin De Biazi.
“Unë besoj se është një gabim shumë i madh që çdo periudhë të Kombëtares ta krahasojmë me ekipin e Europianit. Europiani ka qenë diçka jashtë normales. Ka qenë diçka që edhe nuk kuptohet, edhe nuk dihet pse funksionuam aq mirë. Janë momente të veçanta dhe është ligji i futbollit i tillë që, për njerëzit që s’e kanë përjetuar, që s’kanë qenë asnjëherë në fushë në këtë nivel, nuk e kuptojnë dot se çfarë energjie del nga trupi dhe çfarë energjie të lind, çfarë krenarie ishte që të kishim tifozët pas nesh.
Ka diçka që këto paraqitje nuk është mirë që t’i krahasojmë me ato kundër Izraelit, ndaj Spanjës e Italisë. Kjo, pasi janë gjëra shumë të veçanta dhe delikate që, edhe si lojtarë apo skuadër duke qëndruar bashkë me të njëjtin vullnet, nuk mundemi t’i arrijmë për herë të dytë. Në kualifikueset e shkuara kemi pasur disa ndeshje shumë të mira, duke bërë edhe surpriza, mirëpo tani kundërshtarët na konsiderojnë më ndryshe. Kam parasysh Portugalinë dhe nuk besoj se ata e kanë menduar se do të munden nga Shqipëria.
Kurse tani, spanjollët, italianët, boshnjakët, izraelitët, maqedonasit dhe të gjithë, e dinë që, kur të përballen me ne duhet të japin 100%, përndryshe mund të dalin të humbur. Tashmë nuk na anashkalon më asnjë shtet, asnjë kombëtare dhe besoj se kjo luan një rol shumë të madh. Ndoshta edhe lojtarët tanë, duke qenë jo me shumë përvojë ndërkombëtare, pas Europianit mund të kenë menduar se disa gjëra ecin më ndryshe.
Këto gjëra që na kanë bërë të fortë, duhet të kthehen në atë mënyrë të punës, me të njëjtin vullnet dhe fokus e jam i sigurt se do të na rikthehet sërish suksesi. A rikthehet apo jo siç ka qenë, është diçka krejt tjetër. Për mua, ose kur je lojtar, ka rëndësi që mënyra e lojës të jetë e mirë dhe të luash me vullnet, me zemër dhe të japësh maksimumin. Këto gjëra nuk mohohen te skuadra jonë, ndaj besoj se do të na rikthehet fati një ditë”.