Interesimi i Bayern Munichut për Kai Havertz tashmë ka marrë fund, pasi që kampioni i Bundesligës raportohet se dëshiron të përqendrohet te tentimet për ta siguruar transferimin e Leroy Sane, duke ia liruar kështu rrugën Chelseat dhe Manchester Unitedit për yllin e Leverkusenit.
Kai Havertz e ka shijuar një sezon mbresëlënës për klubin e Bundesligës. Shkaku i paraqitjeve të tij – si në ligën gjermane, ashtu edhe në Evropë – ai pritet të ndërrojë klub këtë verë, transmeton Gazeta Express.
Treshja e Premierligës – Chelsea, Liverpool dhe Manchester United – raportohet të kenë shprehur interesimin për futbollistin gjerman, përderisa edhe Real Madridi vlerësohet si njëri ndër destinacionet e mundshme të 21-vjeçarit.
Së fundi është raportuar se edhe rivali i Leverkusenit në Bundesligë, Bayern Munichu, dëshiron ta transferojë atë, madje duke u raportuar si klubi favorit në këtë garë.
Por, tani SportBild raportohet se Bayerni ua ka lënë rrugën hapur dy klubeve të tjera favorite në këtë garë – Chelsea dhe Manchester Unitedit, pasi që Bayerni është dorëzuar në këtë garë.
Kampioni i Bundesligës dëshiron të përqendrohet te tentimi për ta transferuar Leroy Sanen nga Manchester City – transferim që kishte dështuar verën e kaluar shkaku i lëndimit të rëndë që e kishte pësuar gjermani.
Tani Sane raportohet se më në fund do ta arrijë transferimin e shumëpërfolur në Bayern dhe klubi gjerman nuk është i gatshëm të vazhdojë të punojë edhe për transferimin e tij e edhe për atë të Havertz, i cili kushton rreth 70 milionë euro.