Coutinho shihet si zëvendësuesi ideal i Neymarit, pavarësisht se nuk luajnë në pozita të njëjta.
Neymari është me një këmbë larg Barcelonës dhe për këtë klubi katalanas është hedhur në sulm për të gjetur zëvendësuesin e brazilianit, transmeton Gazeta Express.
Janë disa emra në listën e gjatë të Barcelonës, por sipas “Mundo Deportivos”, Philipp Coutinho i Liverpoolit është dëshira më e madhe e Valverdes.
Sipas “Mundo Deportivos”, trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde dhe drejtori sportiv, Robert Fernández, janë takuar në vazhdimësi ditëve të fundit për të folur për zëvendësuesin e mundshëm të Neymarit, që është afër transferimit te PSG-ja për 222 milionë euro.
Ata kanë rënë dakord se afrimi i Coutinhos do të forconte shumë skuadrën edhe nëse Neymari largohet nga kampionët e Kupës së Mbretit.
Liverpooli insiston se lojtari nuk është në shitje, por Barcelona beson se deri me 31 gusht mund ta bindin lojtarin të transferohet në “Camp Nou”. /Gazeta Express/