Sport

Barcelona e mohon se ka biseduar me Griezmannin

Barcelona e ka mohuar se ka biseduar me Antoine Griezmannin, pasi Atletico Madridi bëri ankesë zyrtare në FIFA për tentimet e dyshuar të Barçës për ta joshur sulmuesin francez.
Raportohet se Barcelona e ka ndjekur sulmuesin e Atleticos, përkundër faktit se ai ka kontratë me Atleticon deri në vitin 2022, prandaj skuadra madrilene ka vendosur t’i japë fund kësaj sage duke e çuar rastin në organin botëror të futbollit, transmeton Express.

“Barcelona nuk ka negociuar me asnjë lojtar, prandaj nuk kemi bërë asnjë parregullsi”, ka thënë një zëdhënës i Barcelonës për të përditshmen spanjolle “Marca”.

Klubi katalan mund të përballet me ndëshkime të rënda nëse FIFA vendos në favor të Atleticos, përfshirë ndalimin e mundshëm të transferimeve të lojtarëve.