Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë se situata e sigurisë në këtë qytet vazhdon të jetë stabile dhe duke u përmirësuar akoma, “edhe përkundër problemit të shkaktuar nga serbët me ndërtimin e murit joligjor”.
Këto komente i pari i Mitrovicës i bëri pas takimit që pati me shefin e Zyrës Rajonale të UNMIK-ut në Mitrovicë, Danilo Rosales Diaz, ku u fol për situatën e përgjithshme në këtë komunë me theks të posaçëm për situatën e sigurisë.
“Ndonëse kisha disa punë zyrtare edhe disa ditë në Evropë, u ktheva përpara me qëllim që menaxhoj situatën e sigurisë dhe që të mos lejoj devalvimin e rezultateve të arritura, kërcënimin e paqes, prishjen e rendit dhe të qetësisë, nga individ e grupe që nuk ja duan të mirën qytetit dhe qytetarëve”.
“Të gjithë duhet të angazhohemi në këtë drejtim dhe besoj se edhe kryetari i komunës në veri, Goran Rakiq, është i interesuar dhe po punon për këtë qëllim, edhe pse mund të ketë pengesa dhe presione të ndryshme. Të gjithë duhet të kuptojmë se koha e konflikteve ka mbaruar, se tani është koha e paqes dhe e zhvillimit ekonomik për të mirën e qytetarëve”, tha ai.
Nga ana e tij. shefi i Zyrës Rajonale të UNMIK-ut në Mitrovicë, Danilo Rosales Diaz, i tha Bahtirit se bashkëpunimi i ndërsjelltë ndërmjet dy institucioneve është i kënaqshëm dhe për të mirën e qytetarëve, andaj vazhdimi i tij është i nevojshëm.
Ai shtoi se dyert e UNMIK-ut janë të hapura gjithmonë për bashkëpunim dhe se do të mbështet të gjitha aktivitetet e komunës dhe të kryetarit Bahtiri që kanë për qëllim stabilizimin e plotë të gjendjes së sigurisë dhe përmirësimin e raporteve ndëretnike.
“Misioni ynë është që të punojmë dhe kontribuojmë për parandalimin e incidenteve eventuale dhe që të mbështesim dialogun që po zhvillohet në Bruksel lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me Mitrovicën”
“Mesazhi ynë për të gjithë qytetarët e Mitrovicës, ka qenë, është dhe do të jetë që të gjitha problemet eventuale që mund të paraqiten, duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe në mënyrë paqësore, prandaj në këtë drejtim do t’i koordinojmë edhe aktivitetet tona, të komunës që ju e drejtoni dhe të asaj veriore që drejtohet nga kryetari Rakiq”, tha Diaz, transmeton Klan Kosova.