Seanca ndaj aktivistëve të VV’së, të dyshuar për sulm terrorist ndaj Kuvendit të Kosovës, tashmë ka filluar. Avokati i njërit prej të dyshuarve Atdhe Arifi, ka hedhur dyshime se motoçikleta që shfaqet në fotografi, e që pretendohet se me të është kryer sulmi ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës, 4 gushtin e vitit të kaluar, dallon në disa fotografi.
“Motoçikleta që u gjet si e djegur, del se kjo motoçikletë ose është një ose mund të jenë dy ose tri”, tha avokati Ramiz Krasnqi, derisa pohoi se mbrojtja i qëndron kërkesës për hedhjen poshtë të aktakuzës ndaj aktivistëve të VV’së të dyshuar për terrorizëm, raporton Gazeta Express nga seanca gjyqësore.
“Është shumë interesant se disa fotografi flasin për një motoçikletë tërësisht të djegur, ku çuditërisht është një letër me disa numra të telefonit që nuk është djegur. Pastaj shihet një shishe molotovi, që është bërë me qellim se aty ku është molotovi është VV”, tha avokati në fillim të seancës të së premtes, e cila nisi me një orë vonesë për shkak të mungesës në sallë të Adea Batushës.
Gjyqtari, Beqir Kalludra, për një moment urdhëroi largimin nga salla te Egzon Halitit, pasi ai bëri disa ndërhyrje nga vendi, gjatë seancës.
Mirëpo me kundërshtimin e të akuzuarve tjerë, të cilët thanë se edhe ata dhe mbrojtësit e tyre largohen nga salla, gjyqtari lejoi qëndrimin e të akuzuarit Haliti në salle, duke i tërhequr vërejtjen, raporton Express.
Seanca gjyqësore për të dyshuarit që kryen sulm terrorist ndaj Kuvendit gushtin e kaluar, Frashër Krasniqi, Atdhe Arifi, Egzon Haliti dhe Adea Batusha, ka filluar në orën 14:00.