Super sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës Donis Avdijaj është kthyer nga lëndimi pas një periudhe të gjatë dhe mbrëmë ka pasur paraqitjen e parë për ketë edicion me ekipin e Schalkes 04 në kuadër të UEFA-kup, në ndeshjen që ekipi i tij e fitoi kundër ekipit francez Nice me rezultat 2:0.
Në një prononcim për Gazetën KNN, Avdijaj shprehet i lumtur për rikthim në ekipin e Schalkes dhe premton që do të punojë shumë që të sigurojë një vend startues në ndeshjet e ardhshme.
“S’kam luajtur që nga koha kur isha në Austri. Kjo ishte ndeshja ime e parë zyrtare me Schalke 04. Besoj se do të punoj shumë si deri sot dhe të luaj për Schalken”, tha Avdijaj.
Avdijaj në edicionin e kaluar ishte i huazuar të ekipi austriak “Sturm Graz” dhe pas paraqitjeve të shkëlqyera atje, Schalke 04 vendosi që ta kthejë serish në radhët e veta, mirëpo gjatë përgatitjeve për fillim të edicionit, ai pësoi një lëndim i cili e la jashtë fushës së gjelbër për një periudhë kohore./A.Canolli