Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka takuar aktoren e famshme botërore, Angelina Jolie, gjatë pjesëmarrjes në shënimin pesë-vjetorit të Iniciativës për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, transmeton KosovaPress.
Ish-presidentja është shprehur se ka qenë një kënaqësi për të pjesëmarrja në këtë organizim.Në statusin e saj në rrjetin social Facebook ajo ka shkruar: “Pata kënaqësinë që të marrë pjesë në shënimin e pesë-vjetorit të Iniciativës për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt të udhëhequr nga Ministrja e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar dhe Përfaqësuese Speciale e Kryeministrit për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, Baronesha Joyce Anelay, dhe Përfaqësuesja Speciale e UNHCR-it, Angelina Jolie.
Gjatë diskutimit në panel me disa nga avokuesit më të zëshëm në parandalimin e dhunës seksuale gjatë konfliktit, theksova nevojën për mbështetje të shtuar ndërkombëtare në përfshirjen e çështjes së të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë në rend të ditës gjatë diskutimeve për dhunën seksuale gjatë konfliktit në Kombet e Bashkuara. Për nevojën e ngritjes së kësaj çështje në nivel të OKB-së fola edhe në takimin e ndarë me Baroneshn Anelay.
“Viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë meritojnë drejtësi dhe për këtë do të angazhohem me të gjitha forcat e mia”.