Aktuale

Arsimi të jetë prioritet kombëtar i dy qeverive shqiptare

Ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka pritur sot në takim ministren e re të Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Mirela Karabina, me të cilën ka biseduar për bashkëpunimin në arsim të të dyja vendeve.

Bajrami tha se me ministren Karabini janë dakorduar që arsimi dhe edukimi duhet të jetë një fushë ku duhet të realizohet integrimi i sistemit arsimor.

Sipas tij, të ofrohet një arsim sa më unik dhe kombëtar, i bazuar në vlerat tradicionale kombëtare, por edhe në trendët bashkëkohore dhe evropiane.

“U dakorduam që arsimi dhe edukimi duhet të jetë një fushë ku duhet të realizohet integrimi i sistemit arsimor. Të ofrojmë një arsim sa më cilësor, unik, kombëtar i bazuar në vlerat tradicionale kombëtare por edhe në trendët bashkëkohore evropiane. Me qenë se jemi në një periudhë tranzicioni, ku edhe në Shqipëri dhe Kosovë do të kemi Qeveri të reja, atëherë e shfrytëzojmë rastin që të bëjmë apel Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, kryeministrit të ri të Shqipërisë dhe të Kosovës, që të vendosin edukimin dhe arsimimin si prioritet kryesor kombëtar, sepse ne vlerësojmë se të ofrosh një arsim cilësore është gjëja më e rëndësishme për të rinjtë e Shqipërisë dhe Kosovës duke marrë parasysh që Kosova dhe Shqipëria kanë një popullsi të re, kanë një popullsi inteligjente”, tha Barjami.

Ndër të tjera, ministri Bajrami theksoi se sistemi arsimor ende nuk është në nivelin që e dëshirojmë, por tha se gjatë këtyre tri viteve është vënë një bazë e mirë e bashkëpunimit dhe është rrëzuar muri ndarës i sistemit të edukimit.

Ndërsa, ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Mirela Karabina tha se shpreson që vitet e ardhshme të kemi edhe më shumë të materializuar bashkëpunimin ndërmjet dy qeverive.

“Unë konsideroj që kam ardhur në pjesën tjetër të shtëpisë dhe ndjehem shumë mirë. Në gjithë këto vite, ministrit tona kanë qenë në kuadër të një bashkëpunimi dhe nuk mund të ndodh ndryshe. Ne jemi të interesuar që për shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës që të bëhet më e mira dhe urojmë dhe shpresojmë që në ditët dhe vitet ardhshme të kemi akoma më shumë të materializuar çdo gjë që bëhet ndërmjet qeverive tona“, tha ajo.

Ministrja Karabina theksoi faktin se dje bashkë me ministrin Bajrami kanë marrë pjesë në hapjen e Seminarit të 13-të mbarëkombëtar të mësimit plotësues në gjuhën shqipe në diasporë. Ajo e vlerësoi si mision të lartë patriotik punën e mësuesve që punojnë me fëmijët shqiptarë në diasporë për të ruajtur kështu gjuhën, traditën dhe kulturën shqiptare.

the authorE B