Policia e Durrësit ka arrestuar një 38-vjeçar i cili shfrytëzonte femra për prostitucion kundrejt një pagese prej 50 eurosh dhe shpërndante kokainë në lokalet e natës në Durrës.
Policia ka finalizuar operacionin “Postieri”, ku sipas të dhënave zyrtare është arrestuar në flagrancë shtetasi Hektor Psatha 38 vjeç, banues në Durrës.
Gjatë veprimeve hetimore të kryera nga ana e Specialistëve të Sektorit për Hetimin e Krimit të Organizuar është dokumentuar se shtetasi i mësipërm shfrytëzonte femra për prostitucion kundrejt pagesës prej 50 € dhe shpërndante lëndë narkotike në lokalet e natës, kryesisht në zonën e Plazhit.
Janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale:
• 22 doza lëndë narkotike e dyshuar e llojit Kokainë;
• një automjet tip Toyota Yaris;
• 2 telefona celularë.
Psatha është person me precedentë penal të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër pronës. Policia thotë se për shkak të hetimeve nuk jep më shumë detaje rreth ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.