Anëtarja më e re e Partisë Demokratike të Kosovës Arbana Xharra ka ftuar ish Presidentin Fatmir Sejdiu që të bëhet pjesë e PDK’së në zgjedhjet e reja që mbahen më 11 qershor.
Kjo ftesë e Xharrës vjen pas një interviste që Gazeta Express ka realizuar me ish kreun e LDK’së, ku ky i fundit u shpreh i zhgënjyer me udhëheqjen e Mustafës ndaj partisë. Madje Sejdiu ka kërkuar edhe largimin e tij nga kreu i LDK’së.
Xharra duke kujtuar pozitën e Fatmir Sejdiut, thotë se ai më mirë se kushdo e njeh Lidhjen Demokratike të Kosovës. Thotë se shpresën të kryetari Mustafa nuk e ka humbur vetëm Sejdiu.
“E pashë një intervistë te ish Presidentit Fatmir Sejdiu, njëherish, ish kryetar i kësaj partie. Kush e njeh LDK’në me mire se ai? Duke pas qene kryetar dhe themelues i kësaj partie, duke pas qene bashkëpuntor i afërt i Presidentit Rugova, tregoi hapur se ky vend e ka humbur shpresën te Isa Mustafa. Është koha për #FillimiRi. Shpresën te Isa Mustafa – me të drejte – nuk e ka humbur vetem z. Sejdiu. Ky eështë i fundit, jo për nga rëndësia”, është shprehur Xharra.
Ajo nuk e ka ftuar vetëm ish presidentin Sejdiu që t’i bashkohet “Fillimit të Ri” të Partisë Demokratike të Kosovës, por të gjithë ata anëtarë që tashmë janë të zhgënjyer nga menaxhimi i Mustafës.
“Si një ish votuese e LDK’së, e ftoj z. Sejdiu, dhe të gjithë ata anëtarë të zhgënjyer të LDK’së, të bëhen pjesë e PDK’së në këto zgjedhje. Ta votojnë Fillimin e Ri, duke e mbështetur Kadri Veselin më 11 qershor”, ka thënë ajo.
Ish-Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në intervistën dhënë për Gazetën Express ka akuzuar ashpër Isa Mustafën dhe mënyrën se si ai e ka menaxhuar Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Sejdiu thotë se e kishte paralajmëruar Mustafën për rrezikun me të cilin mund të ballafaqohej, duke hyrë në koalicion me PDK-në, që në atë kohë udhëhiqej nga Hashim Thaçi.
Sipas Sejdiut, Mustafa përfundoi njësoj sikurse ai ia bëri bllokut opozitar, atë kohë VLAN-It. Ish-lideri i këtij subjekti që ishte në postin e të parit të LDK-së pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, duke e marrë udhëheqjen në vitin 2006, kërkon largimin e Mustafës nga ky subjekt. /GazetaExpress/