Deputeti i PDK-së, Andin Hoti, përmes një letre publike drejtuar udhëheqësve të subjekteve politike në Kosovë, shpreh bindjen se qytetarët e kanë ‘kurdisur’ rezultatin për të imponuar zgjidhje që kërkojnë reflektim nga udhëheqësit e subjekteve dhe kërkojnë bashkimin e tyre për interesat madhore të vendit.
Ai thotë se Kosova ka nevojë urgjente për institucione të forta, të qëndrueshme dhe përfaqësuese, dhe se demarkacioni nuk është çështje numrash në Kuvend, por e konsensusit politik, derisa asociacioni është çështje e të gjithëve dhe jo vetëm e PDK-së, PAN-it apo LDK-së.
Procesi i Gjykatës Speciale, sipas Hotit, është sfidë për vendin dhe vlerat e saj më sublime, ndërsa luftimi i krimit e korrupsionit nuk është thjesht interes partiak i Vetëvendosjes, LDK-së apo i ndonjë partie tjetër, por i të gjithë qytetarëve.
Hoti porosit politikanët kosovarë se Kosova nuk ka më kohë për të humbur dhe se liderët politikë duhet të dëshmojnë evropianizimin e tyre për hir të qytetarëve dhe të rinisë, e cila po largohet nga vendi për shkak të mungesës së vendeve të punës.
Ai thotë se si njëri nga të rinjtë e zgjedhur në Kuvendin e Kosovës, nuk dëshiron t’i shohë dhe më tutje liderët tanë ‘aziatikë’, dhe se ata duhet t’i nënshtrohen sovranit dhe të bëjnë zgjidhje sipas vullnetit të tij.
Letra e plotë:
Të rinjtë po largohen nga Kosova sepse s’ka vende pune dhe e kanë humbur shpresën, më të vjetrit rropaten me zgjatimet e një krize morale që injorantët e hajnat i sheh si të zotë, ndërsa politikanët udhëhiqen nga teke inatçore e luftë primitive kundër njëri tjetrit.
Nuk besoj se është politikë dhe qasje e kalkuluar për interesa të qytetarëve cilësimi, denoncimi, refuzimi absolutist i vullnetit të rreth 34 për qind të votuesve të vendit.
Një llogaritje e tillë politikë-bërëse është për keqardhje, sepse qëndrime dhe diskurs të ngjashëm politik s’gjen në asnjë vend evropian.
Jam zotuar gjatë fushatës që t’i përfaqësoj sa më denjësisht interesat e të rinjve, të qytetarëve që kërkojnë një Kosovë më të zhvilluar, më të avancuar drejt integrimeve evropiane dhe jo inferiore ndaj vendeve të tjera.
Si njëri nga të zgjedhurit e rinj në Kuvendin e Kosovës, jam i bindur se Kosova ka nevojë urgjente për institucione të forta, të qëndrueshme dhe përfaqësuese.
Demarkacioni nuk është çështje numrash në Kuvend, por e konsensusit politik, Asociacioni nuk është çështje e PDK-së, PAN-it apo LDK-së, por e të gjithëve, ashtu siç është edhe Ushtria e Kosovës si një element i domosdoshëm i shtet-ndërtimit.
Procesi i Gjykatës Speciale nuk është dhe s’duhet të jetë sfidë e një apo dy subjekteve politike, sepse është sfidë për vendin dhe vlerat e saj më sublime, kurse luftimi i krimit e korrupsionit nuk është thjesht interes partiak i Vetëvendosjes, LDK-së e ndonjë tjetri, por i të gjithë qytetarëve dhe rrugës tonë drejt Evropës.
Republika e Kosovës ka nevojë të përshpejtojë hapat dhe të qëndrojë vertikalisht në orientimin e saj Perëndimor dhe aleancën me SHBA-të, prandaj politikanët duhet t’i shtrohen kësaj llogarie.
Nuk duhet të lejojmë të sillemi sipas logjikës “për inat të resë më vdektë djali”, prandaj dua të besoj se është koha që të mos humbim kohë.
Liderët e subjekteve politike duhet t’i nënshtrohen sovranit, duhet të ulen e të bëjnë zgjidhje sipas vullnetit të tij.
Si njëri nga të rinjtë e zgjedhur në Kuvendin e Kosovës, s’dua t’i shoh edhe më tutje liderët tanë ‘aziatikë’. Kosova s’ka më kohë për të humbur dhe liderët politik duhet të dëshmojnë evropianizimin e tyre për hir të qytetarëve, për hir të rinisë tonë evropiane.