Deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe njëri nga themeluesit e Alternativës, Ilir Deda pritet që sot të marr vendim në lidhje me mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Mustafa, të iniciuar nga Fatmir Limaj.
Deda dje ka zhvilluar një takim me Limajn, me të cilin ka biseduar për këtë mocion, ndaj të cilit kanë shprehur përkrahje edhe dy partitë tjera opozitare, shkruan Indeksonline.
E Deda në një prononcim për Indeksonline ka thënë se sot gjatë ditës do të bisedojnë në Alternativë për qëndrimin pro apo kundër mocionit.
“Sot në orën 16:00 mbahet takimi në Alternativë për këtë çështje dhe do të marrim vendim”, tha shkurt Deda.
Kujtojmë se deputetë të Nismës, parti kjo që ka iniciuar mocionin, kanë bërë të ditur se në mesin e deputetëve që po e mbështesin mocionin janë edhe disa nga pozita, përkatësisht nga PDK-ja.