Aktuale

Aliu: Çdo drejtor duhet të jetë më i mençur se unë

Zonë ekonomike, riformatizim të administratës, depolitizim të arsimit, si dhe fond zhvillimor për të rinjtë, ku përfshihen 1 milionë euro investime. Këto janë vetëm disa nga çështjet ku kandidati i AKR-së për kryetar të Vushtrrisë, Nasuf Aliu, do të fokusohet nëse arrin ta merr besimin për ta drejtuar këtë komunë.

Eksperiencat e mëparshme të punës, kanë bërë që Aliu të njoh nga afër nevojat e qytetarëve për të cilat zotohet se do të jap maksimumin e tij për t’i plotësuar sa më shumë ato.

Kandidati i AKR-së për kryetar të Vushtrrisë, Nasuf Aliu njëherit edhe drejtor i drejtorisë për Zhvillim Ekonomik dhe Bujqësi në Komunën e Mitrovicës, në një intervistë për KosovaPress ka thënë se edhe pse është pjesë e politikës, do të luftojë me çdo kusht përzierjen e saj në punët e komunës.

“Unë nuk po premtoj 5 mijë apo 10 mijë vende të punës sepse jam shumë i vetëdijshëm se sa e vështirë është të arrijmë deri aty, mirëpo shumë po iu premtoj se së shpejti do të dal me statistika të përafërta….Unë po iu premtoj fondin zhvillimor që do ta kenë të rinjtë dhe të rejat për t’i zhvilluar idetë e tyre. Brenda 4 vitesh unë po zotohem që 1 milion euro do t’i investoj në idetë e të rinjve dhe të rejave. Është diçka e mundshme…. Unë ju premtoj dhe zotohem se në 4 vjeçarin e ardhshëm ne si Vushtrri do ta kemi zonën tonë ekonomike, që bizneset e mëdha të kenë mundësi të zgjerojnë kapacitetet e tyre… Në aspektet tjera Vushtrrisë i nevojitet një administratë funksionale dhe depolitizim i arsimit”, tha ai.

Edhe pse i ri në moshë, Aliu ka më shumë se 10 vjet përvojë me qeverisjen lokale gjë që thotë se e ka bërë të njoh shumë mirë zhvillimin ekonomik të Vushtrrisë.

Ndërkaq, fakti se Vushtrria është qytet me zanafillë të hershme qytetërimi, sipas Aliut e bënë më të dhimbshme situatën në të cilën sot ndodhet qyteti që ai synon ta udhëheqë, mirëpo, thotë të ketë zgjidhje për situatën e krijuar.

Sipas tij, krejt çka i mungon Vushtrrisë sot, është kombinimi i resurseve dhe potencialeve.

“Sot sfidë kryesore e qytetarëve është humbja e shpresës dhe mungesa e një prosperiteti ekonomik që atyre iu mundëson një jetë më të mirë… S’ka fshat dhe shtëpi që nuk e kam vizituar në qytetin tim dhe komplet regjionin do të thosha, dhe i njoh fare mirë kapacitetet se çka mund të bëhet në Vushtrri… Sot Vushtrrisë i mungon vetëm kombinimi i nevojshëm i resurseve dhe potencialeve sepse Vushtrria mund të del nga kjo situatë e pashpresë në të cilën sot gjenden vushtrriasit, në të cilën gjenden bizneset, fermerët, në cilën situatë gjendet shoqëria, rinia e pashpresë. Të gjitha këto e duan vetëm një priotirizim ndryshe mënyrës së shpenzimit të buxhetit dhe të një llogaridhënie që duhet të ekzistojë në çdo sektor, duke filluar nga vet administrata komunale”, është shprehur ai.

Aliu thotë se qytetit të Vushtrrisë i mungojnë një mori sektorësh dhe aktivitetesh të cilat do të kishin ndikim pozitiv për zhvillimin ekonomik dhe të fushave tjera njëkohësisht, përderisa ka numëruar një varg ndryshimesh që do të bëhen në Komunën e Vushtrrisë nëse ai merr mandatin për 4 vitet e ardhshme.

“Zhvillimin ekonomik duhet ta trajtojmë, por jo në terma të projekteve infrastrukturore, por në terma nga njeriu, nga strukturimi i nevojshëm i brendshëm, duke filluar nga kryetari dhe nënkryetari. Në qeverisjen time nënkryetari do të jetë përgjegjës për zhvillimin ekonomik dhe për menaxhimin komplet të sektorëve ekonomik brenda komunës. Sot Komunës së Vushtrrisë i mungon zyra për turizmin, i mungon zyra për partneritetet publiko-private, i mungon një zyrtar për diasporë, i mungon një zyrë për promovim të investimeve dhe shumë elemente tjera që ne tentojmë që këtë administratë ta riformatizojmë komplet”, tha ai.

Më tej, kandidati i AKR-së për të parin e Vushtrrisë ka theksuar nevojën e madhe që qyteti i Vushtrrisë ka për llogaridhënie.

I gëzuar se janë duke ndërtuar një imazh të ri për Vushtrrinë, Aliu thotë se veçse kanë filluar me reformat e mëdha drejt ndryshimeve. E për këtë ai shpjegon se edhe brenda ekipit të tij ka zgjedhur të përdorë metoda nxitëse në mënyrë që të nxjerrë kuadro sa më të mira me të cilat synon të shërbejë qytetarët e Vushtrrisë.

“Asnjëri sot nuk e ka premtimin se do të jetë drejtor i financave apo drejtor i zhvillimit ekonomik, për çdo sektor i kam bërë dy persona, në mënyrë që të ngjalli kureshtje dhe të ngjalli garë mes dyve për fushën e caktuar. Për mua çdo drejtor duhet të jetë më i mençur se unë. Unë nuk dëshiroj të jem despot i tyre, mua më duhen drejtorë që i kam këshillues, sepse edhe ligji për qeverisje lokale e jep kështu që drejtorët janë këshilltarët e kryetarit, sepse nëse unë e njoh më mirë shëndetësinë se sa drejtori im, atëherë mua nuk më duhet drejtori”, u shpreh ai.

Vushtrria e re, me ekipin e ri dhe me kryetarin e ri, është slogani që AKR-ja e Vushtrrisë ka zgjedhur të përdorë për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor./

the authorE B