Aktuale

“Akuzat e para të Gjykatës Speciale do shtyhen për një kohë më të gjatë”

Që nga dita e djeshme, kur edhe është vlerësuar se Gjykata Speciale është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, duhet të pritet shtatë ditë që prokurorët të mund të ngrenë edhe aktakuzat e para.

Kështu ka deklaruar dje kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova e cila pas rishikimit të rregullores e cila ishte në kundërshtim me kapitullin 2 të Kushtetutës së Kosovës, ka thënë se pas shtatë ditësh, nuk do të ketë kurrfarë pengese ligjore për marrjen e çfarëdo parashtrimi apo akuze nga Zyrat e Prokurorit të Specializuar.

Megjithatë, avokati Tomë Gashi nuk beson që aktakuzat e para do fillojnë tash.
Në një prononcim për Indeksonline, Gashi thotë se këto do shtyhen pasi mendon se prokurorët nuk i kanë ende gati akuzat e para.

Ndërkohë, ai sqaron se fillimi i ngritjes së aktakuzave të para, nuk ndërlidhet asgjë me formimin e Qeverisë së Re të Republikës së Kosovës.

“Puna e Gjykatës Speciale nuk ka të bëj asgjë me formimin e Qeverisë së Re të Republikës së Kosovës. Ato janë krejtësisht të ndara nga njëra tjetra dhe nuk ndikojnë në njëra tjetrën. Kështu që nuk ka kurrfarë arsye pritja e formimit të Qeverisë së Re për fillimin e punës së Gjykatës Speciale. Mirëpo unë nuk besoj që brenda një jave do të kemi aktakuzat e para. Mendoj që ato do të shtyhen por koha nuk mund të thuhet se deri kur. Kjo, pasi që, unë nuk mendoj që prokurorët i kanë të gatshme këto akuza”, ka thënë Gashi.

Në anën tjetër, ai thekson se Gjykata Speciale do duhej të kishte për synim menjëherë rastet e profilit të lartë, dhe jo ata të ulët.

“Nëse Gjykata në Kosovë, duke përfshirë edhe Gjykatën e Eulexit, kanë qenë në gjendje të gjykojnë rastet më të mëdha këtu, duke përfshirë edhe ish-zyrtarët e lartë të UÇK-së dhe të tjerët, atëherë Gjykata Speciale nuk besoj që do të duhej të merrej me raste të profilit të ulët, por sigurisht është e krijuar për rastet e profilit të lartë. Se kush do të jetë shënjestër dhe kush mund të akuzohet atje atë e dinë vetëm kryeprokurori”, ka deklaruar më tutje ai.

Ndryshe, Gashi rithekson se nga ndjekja penale në Gjykatën Speciale nuk do të mund të ketë askush imunitet, pa marrë parasysh funksionin apo postin që kryen./Indeksonline/

the authorE B