Aktuale

Aktakuzë për dhënie ose marrje e ryshfetit në lidhje me votimin

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzën kundër të dyshuarve F.K. dhe F.B.

Sipas aktakuzës, i pandehuri F.K., i ka premtuar përfitim të pamerituar personit tjetër me qëllim që ta ndikojë atë person për të votuar në favor të një personi, në atë mënyrë që me datë 10 qershor në një lokal në Prizren, një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të Republikës së Kosovës, personin F.B. e bind që të dalë në vendvotim dhe të votojë për kandidatin për deputet B.K.

Duke premtuar se për këtë shërbim do t’ia paguajë 15 euro dhe duke i ofruar kartelën e kandidatit të lartpërmendur për deputet me dy numra, njëri numër i subjektit politik dhe tjetri i vetë kandidatit, pastaj edhe lapsin kimik me video-kamerë me ngjyrë të zezë për ta incizuar – fotografuar aktin e votimit për kandidatin gjegjës.

Me këto veprime, i pandehuri F.K. ka kryer veprën penale “dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin nga neni 215 paragrafi 1, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.”

Ndërsa, sipas aktakuzës, i pandehuri F.B., ka pranuar ofertën apo premtimin për përfitim të pamerituar për vete, për të votuar në favor të një personi, në atë mënyrë që me datë 11 qershor shkon në vend votimin përkatës të Qendrës së Votimit, të vendosur në shkollën e mesme teknike “11 Marsi” në Prizren dhe me lapsin kimik me video kamerë, me ngjyrë të zezë, kryen aktin e votimit për kandidatin e lartpërmendur për deputet, me ç ‘rast zbulohet nga vëzhguesi i vendvotimit përkatës.

Me këto veprime, i pandehuri F.B. ka kryer veprën penale “dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin nga neni 215 paragrafi 2, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.”

the authorE B