Sport

Ajeti-Mihajlovic, aventura filloi sot

Arlind Ajeti është i vetëdijshëm se Torino është shansi i tij i madh në karrierë. Mbrojtësi shqiptar konfirmoi fjalët e thëna në prezantimin zyrtar në radhët e ekipit “granata”, duke u paraqitur në ditën e parë të grumbullimit për sezonin e ri.

Edhe pse kishte ende disa ditë në dispozicion për të qëndruar pushim, pas angazhimit me Kombëtaren shqiptare në Kampionatin Evropian, 22-vjeccari zgjodhi të vendosej menjëherë nën urdhërat e trajnerit Sinisa Mihajlovic.

Mbrojtësi i Kombëtares vendosi të ndërpriste pushimet, për të mos humbur momentet e para si lojtar i Torinis, një vendim që duket se e ka shpërblyer. Në qendrën sportive Sisport mbizotëronte entuziazmi, me 5 mijë tifozë të pranishëm që e shndërruar stërvitjen e parë të skuadrës në festë.

Menjëherë pas seancës përgatitore, trajneri Mihajlovic vendosi që lojtarët mund të takoheshin me tifozët për të dhënë autografe dhe realizuar fotografi. Kjo bëri që Arlind Ajeti të njihej menjëherë me entuziazmin e mbështetësve “granata”, të cilët i shfaqën të gjithë afeksionin e nevojshëm mbrojtësit, që shumë shpejt do të kthehet në idhullin e tyre.