Policia angleze pritet të nisë hetimet kundër futbollistit të Manchester City, Sergio Aguero, pasi që një ruajtës i rendit në ndeshjen e sotme kundër Bournemouth e akuzoi se e kishte goditur gjatë festimit të golit të fitores.
City sot mposhti si mysafir Bournemouth me rezultat 2:1, duke siguruar fitoren në minutën e shtatë shtesë të kohës së kompensuar.
Futbollistët e City vrapuan para tribunës ku ndodheshin tifozët e tyre për të kremtuar golin.
Disa tifozë hyrën në terren dhe ruajtësit e rendit i kthyen në tribuna, por njërin prej tyre e rrethuan dhe e rrëzuan në terren. Aguero tentoi që ta mbrojë dhe protestoi për shkak të forcës që kishte përdorur njëri nga ruajtësit e rendit.
Mediat britanike transmetojnë se ruajtësi i rendit, pas takimit i është ankuar policisë se Aguero e kishte goditur.
Në video-xhirim shihet se si argjentinasi gjatë incidentit me tifozin, disa herë përpiqet që të arrijë deri te ruajtësi i rendit.
Pas bisedës që pati me të, Aguero me zemërim ka ngritur dorën dhe atëherë polici ka intervenuar dhe e ka larguar.
Aguero serish tentoi që të arrijë deri te tifozët në stadium, por ai serish u pengua nga polici, pas të cilës të dy ata shtynë njëri-tjetrin.
Fatmirësisht situata u qetësua dhe ndeshja vazhdoi, derisa tifozët e City kanë thirrur emrin e Agueros./KosovaPress/