Sport

Aguero bëhet golashënuesi më i mirë në histori tek Manchester City

Sulmuesi argjentinas ka realizuar njërin nga katër golat e Cityt në fitoren ndaj Napolit.

Manchester City i është gëzuar fitores së katërt në po kaq ndeshje në Ligën e Kampionëve, duke triumfuar si mysafir i Napolit 4:2.

Ajo që e bëri me speciale mbrëmjen e së mërkurës ishte rekordi i ri i Sergio Agueros me fanellën e Cityt që u bë golashënuesi më i mirë në histori të këtij klubi, transmeton KosovaPress.

Argjentinasit i mjaftuan pak më shumë se gjashtë vite karrierë te Manchester City për të hyrë në histori si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për këtë skuadër.

Aguero numëron në total 178 gola me Citizens, një më shumë se Eric Brook, që luajti për të njëjtën skuadër për një periudhë 11-vjeçare, shumë vite më parë (1928-1939). Rekordin që mbahej nga Brook argjentinasi e barazoi ndaj Burnleyt, me penallti, për ta thyer më pas pikërisht në ‘San Paolo’.

Në këtë stinor Aguero ka realizuar tetë gola në dhjetë ndeshje me fanellën e Cityt në të gjitha garat.