Aktuale

Afro 400 kosovarë janë diagnostikuar me kancer veç për 3 muaj në Kosovë

Për tre muajt e parë të këtij viti rreth 378 kosovarë janë diagnostikuar me kancer në klinikën e Onkologjisë e cila vepron në kuadër të QKUK’së, transmeton Gazeta Express.

Qendra Klinike bënë me dije se sipas raportit tremujor të punës, ka pasur 378 raste të reja të diagnostikuara me kancer, që i bie 100% raste më shumë, krahasuar më të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, e që si shkas mund të konsiderohet vetëdijesimi apo raportimi i rasteve.

“Po sipas raportit tremujor, në këtë klinikë brenda dite trajtohen 120 deri 210 pacientë, nuk ka pasur anjë pacientë të udhëzuar për trajtim jashtë vendi, përderisa janë ofruar rreth 40. 000 shërbime mjekësore dhe 7 000 kontrolle mjekësore. Ka pasur rreth 6500 aplikime të mjekimit venoz ditor dhe rreth 5 500 kimioterapi të aplikuara “, thuhet në komunikatën e Institurit të Onkologjisë.

Tutje thuhet se në vitin 2017, Klinika e Onkologjisë, ka funksionuar me kapacitet të plotë, duke pasur në funksion të gjithë aparaturën dhe me një shfrytëzueshmëri të shtretërve 100-200 % (një shtrat është shfrytëzuar nga 1 deri 2 pacientë në ditë), duke ofruar shërbime të kimioterapisë venoze, intrapleurale dhe intratekale, radioterapisë, transfuzionit, mjekimit ditor suportiv dhe mjekimit paliativ ditor.

“Shërbim shumë me rëndësi i ofruar nga kjo klinikë është edhe torakocenteza dhe paracenteza (heqja e ujit nga mushkëritë dhe barku). Kjo klinikë gjatë kësaj periudhe ka ofruar shërbime për të gjithë pacientët e Kosovës, përfshirë minoritetet dhe për pacientët jashtë Kosovës siç janë: Presheva, Bujanovci dhe Medvegja, pacientëve nga këto regjione ju janë ofruar të gjitha shërbimet (kimioterapi, radioterapi, transfuzion, mjekim ditor suportiv dhe mjekim paliativ ditor)”, thuhet në komunikatën e dërguar mediave.

Sidoqoftë, shifrat me sëmundjen e kancerit janë në rritje dhe shqetësuese.

Numri i përgjithshëm i rasteve të reja të diagnostikuar të kancerit në botë, në vitin 2012, ishte 3.7 milionë dhe deri në vitin 2030 ky numër vlerësohet që do të rritet për 25 për qind, për të arritur në 4.6 milionë raste./GazetaExpress/

the authorE B