Pas “kontestimit” të projektligjit për demarkacionin, pikërisht nga partia e kryeministrit Haradinaj, për shkak se siç deklaruan ata u ndryshua teksti i marrëveshjes, LDK e AAK kanë nisur sërish bisedimet për ti evituar problemet e paraqitura.Zyra e kryeministrit Haradinaj i kanë konfirmuar Gazetës Blic se takimet mes Haradinajt e edhe të gjitha subjekteve të tjera parlamentare tashmë kanë filluar.
Madje nga kjo zyrë janë të bindur se demarkacioni do të ratifikohet këtë javë
“Qeveria e Republikës së Kosovës është në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë partnerët e koalicionit dhe subjektet e tjera politike parlamentare, për votimin e demarkacionit.
Besojmë që Demarkacioni do të votohet.” thuhet në përgjigjen që zyra e Kryeministrit i kanë dhënë Gazetës Blic.Mirëpo nuk kanë pranuar të tregojnë se si do të korrigjohet teksti i projektligjit.
Ndërsa nga Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk kanë konfirmuar bisedimet.Vjosa Osmani nga kjo parti ka thënë se për këtë çështje duhet pyetur Avdullah Hoti, ndërkaq që ky i fundit nuk i është përgjigjur interesimit të mediumit.AAK e kishte akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës, se e kishin ndryshuar tekstin e projektligjit kur atë e sollën në komisionin për punë të jashtme, dhe si të tillë AAK e kishte stopuar procedimin e mëtejmë.Ndërsa LDK mohoi pretendimet e AAK-së, duke thënë se teksti i marrëveshjes nuk është ndryshuar në asnjë pikë.
Ndërsa sot gjatë ditës kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka thënë se shumë shpejt do të caktohet data e seancës për demarkacionin.
Edhe ai, njëjte si kreu i ekzekutivit ka shprehur bindjen se demarkacioni do të ratifikohet.Sinjale pozitive për marrëveshjen ka dhënë gjatë ditës së sotme edhe ambasadori i ShBA-së në Kosovë Greg Delawie, i cili ka thënë se ratifikimi i marrëveshjes kufitare me Malin e Zi, kurrë nuk ka qenë më afër.
Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi ka ardhur tre herë në Kuvend në dy javët e kaluara, mirëpo asnjëherë nuk është hedhur në votim për shkak të mungesës së votave pro./GazetaBlic/