“Demokracia ekziston pikërisht për këtë”, kështu është përgjigjur deputeti i NISMA-s Socialdemokrate, Bilall Sherifi, për idenë e rrëzimit të Qeverisë Haradinaj që doli si rezultat i takimit të djeshëm ndërmjet liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Sherifi thotë se askush nuk i ndalë për ta bërë një gjë të tillë, dhe gjithçka varet se a do të munden ta bëjnë një gjë të tillë.
“Veç a munden, askush si ndal. Demokracia ekziston pikërisht për këtë. Veç a munden, asnjë koment tjetër e kam ”, ka thënë ai.
I pyetur nëse edhe NISMA do t’i bashkohet një nisme të tillë për rrëzimin e Qeverisë, Sherifi ka thënë se kjo është në dorën e partisë.
“Kjo nuk është çështje e imja, është një vendim që duhet ta marrë kryesia e partisë. Megjithëse njëherë nuk ka ndonjë kërkesë. Nuk është vullneti i imi personal, është çështje e partisë”, është shprehur Sherifi.
Sherifi ka thënë se në rast se do të ketë ndonjë kërkesë serioze për rrëzimin e Qeverisë nga LDK-ja dhe Vetëvendosje, atëherë një gjë e tillë do të shqyrtohet dhe do të jepet një përgjigje.
“Çdo kërkesë që partitë politike e kanë serioze, partitë politike e kanë për detyrë që kërkesat t’i shqyrtojnë dhe të japin një përgjigje. Pas një debati të brendshëm që do ta kemi, atëherë partia do të dalë me një qëndrim”, ka përfunduar Sherifi për Gazetën Express.
Edhe nga Partia Socialdemokrate thonë se janë të hapur për nisma të tilla, por brenda Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express, zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuqi.
“PSD ka dhënë nënshkrimet për rrëzimin e Qeverisë dhe ka qenë e mbetet e hapur për bashkëpunim në iniciativa të ndryshme brenda Kuvendit, të cilat janë në të mirën e vendit” ka thënë ajo.
Dje Kurti ka qëndruar në shtëpinë e Isa Mustafës në një takim disa orësh, ku kanë diskutuar për koordinimin e tyre si parti opozitare.
“Të gatshëm të koordinojmë bashkëpunimin opozitar në mënyrë që degradimi i qeverisjes dhe rrezikimi i territorit të ndalen sa më shpejtë. Kosova si kurrë më parë ka nevojë urgjente për qeverisje të re dhe cilësore” kishte shkruar Kurti pas takimit.
Të njëjtin qëndrim e kishte ndarë edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.
Ky takim ndërmjet dy liderëve të partive opozitare ka ardhur në prag të protestës së thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje që do të mbahet me 29 shtator./GazetaExpress/