Aktuale

Mbrojtja e Grabovcit pret pushimin e hetimeve – Prokuroria ende po analizon rastin

Prokuroria Speciale ende s’ka dalë me një rezultat lidhur me hetimet që është duke i zhvilluar ndaj Adem Grabovict nën dyshimin për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe të ushtrimi të ndikimit. Hetimet për Grabovcin kanë filluar vitin e kaluar derisa mbrojtja pret pushimin e hetimeve. Prokuroria ka paralajmëruar mundësinë e ngritjes së aktakuzës për veprën penale.

Shtatë muaj e një javë kanë kaluar prej kur për herë të fundit, Adem Grabovci ishte intervistuar në Prokurorinë Speciale, nën dyshimin se ka kryer disa vepra penale, të cilat ishin iniciuar pas publikimit të aferës së përgjimeve “Pronto II”.

Mirëpo, prej atëherë ende asnjë veprim tjetër nuk është ndërmarrë.

Avokati mbrojtës i Grabovcit, Florent Latifaj, ka thënë për Express, të dielën, se ende s’kanë ndonjë njoftim për veprimet e mëtutjeshme të Prokurorisë.

Megjithëkëtë, ai ka thënë se po presin pushimin e hetimeve në mungesë të fakteve lidhur me dyshimet për çka dyshohet Grabovcit.

“S’kemi pasur asnjë thirrje apo diçka

“Kam lexuar në media se do të thërrasin edhe një herë për me u deklaru, mirëpo, ne po presim. Të njëjtën përgjigje do t’ua japim prapë. Ne besojmë se ka bazë të mjaftueshme për pushim të hetimeve”, ka thënë Latifaj, për Express, të dielën.

Ndërkohë, zyrtarët e Prokurorisë Speciale kanë paralajmëruar se do ta thërrasin prapë Grabovcin për intervistim pasi herën e parë është mbrojtur në heshtje.

Sipas zyrtarëve të Prokurorisë Speciale një pjesë e pazareve që dëgjohen në përgjime nuk janë kryer asnjëherë derisa ekziston mundësia e ngritjes së aktakuzës ndaj Grabovcit për veprën penale në tentartivë. Kanë treguar se po analizojnë rastin e ish-Nënkryetarit të PDK’së.

Hetimi ndaj Adem Grabovcit, është i bazuar në provat e përgjimeve telefonike të bëra në vitin 2011 gjatë një operacioni anti-korrupsion nga ana e misionit të BE-së për drejtësi në Kosovë, EULEX.

Përgjimet i kishte publikuar insajderi derisa aty Grabovci dëgjohej duke shpërndarë pozita për militantët partiak. Në mesin e atyre që dëgjohet në përgjime është edhe ish-deputeti i PDK’së, Bahri Hyseni, i cili është anëtar i Këshillit Prokurorial nga Prokuroria e Ferizajt. Në dosjen e publikuar nga insajderi, Haxhi Dërguti në cilësinë e prokurorit në Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë kishte bërë kërkesa të shumta për ta takuar Adem Grabovcin.

the authorE B