Kosova është skuadra e parë që siguroi gjysmëfinalen nga grupi B në Kampionatin Europian të Divizionit C për grupmoshat nën 18 vjeç.
Të përzgjedhurit e trajnerit Dritëro Sefaja, fituan edhe ndeshjen e tretë rresht, duke e mposhtur Maltën me rezultat të thellë 110-61.
Treshja fantastike, Gent Shala, Etnik Peci dhe Vigan Gashi, edhe kësaj radhe ishin të pandalshëm për mbrojtjen kundërshtare, duke shënuar përkatësisht nga 21, 20 dhe 19 pikë.
Para ndeshjes gjysmëfinale, Kosova do ta zhvillojë edhe një ndeshje grupore, ku do të takohet me Molldavinë dhe në rast të fitores do ta përfundojë pa humbje fazën grupore.
Ndeshja me Molldavinë, do të luhet nesër (e marte).