Antoine Griezmann ka thënë se është krenar me paraqitjen e Francës pas humbjes nga Portugalia.
Franca u mposht nga Portugalia mbrëmë në vazhdime, pas golit të shënuar nga Eder në minutën e 109.
Griezmann e nisi këtë takim si golashënuesi më i mirë i turneut dhe ishte shpresa e francezëve se do ta bënte diferencën ndaj portugezëve, por e kishte të pamundur të depërtojë në mbrojtjen e fuqishme të Portugalisë.
“Është mizore dhe e mrekullueshme në të njëjtën kohë. Kemi përjetuar disa momente të jashtëzakonshme dhe momente të trishtueshme gjithashtu. Duhet të mësojmë, por sonte dhamë gjithçka dhe nuk ndjejmë keqardhje. Jam krenar me këtë skuadër, krenar me të gjithë. Tani duhet të kthehemi më të fuqishëm”, është shprehur Griezmann.
“Ndoshta më vonë mund të ndihem krenar, por tani për tani është për grupin. Jam shumë i zhgënjyer për bashkëlojtarët. Vërtet dëshiroja t’iu jepja atyre këtë trofe, por nuk mund të shënoja dhe jam shumë i zhgënjyer”, ka thënë ylli i Atletico Madridit.





















