Aktuale

Rama-Blushit: Ke abuzuar me mandatin e deputetit për të përgojuar qeverisjen

Kryeministri Edi Rama ka replikuar sot gjatë fjalës së tij në Kuvend, me kreun e LIBRA-s, deputetin Ben Blushi.

Kryeministri Rama akuzoi deputetin Blushi, se ka abuzuar me mandatin e deputetit socialist të Elbasanit për të përgojuar dhe baltosur qeverisjen.

“Nuk më vjen keq për Blushin po më vjen keq madje shumë për ca të rinj që ngatërrojnë derën e bibliotekës me derën e partizës së tij. Mbi derë shkruhet LIBRA po brenda ka vetëm një shkrimtar të ri dhe një politikan shumë të vjetër që për një karrige shumë të vjetër në parlamentin e ri shikojeni, e ka kthyer vetveten në personazhin e fryrë me ajrin e ambicies së tij, një personazh i sajuar tamam si në letërsi, ama këtë herë njeri i gjallë në librin e jetës sonë reale që sapo ka zbritur mes nesh, mes të shkretëve shqiptarë nga një planet tjetër për tu dhënë pushtetin të varfërve sapo ti ketë vënë dërmën partive të vjetra. Ky është shoku im Beni. Kam dëgjuar si është rropatur në këtë foltore të krijojë personazhin e tij në sytë e atyre që s’e njohin sepse janë shumë të rinj ose nuk e dëshifrojnë sepse janë shumë të lodhur”, tha Rama.

Rama tregoi dhe pse nuk e bëri minister Blushin. “Saimir Tahiri, Ilir Beqaj, Blendi Klosi u bë ministër, ti jo. Si mund të ishte ministër, si udhëheqës politik more rezultatin më të dobët në PS në 12 qarqe e jo Blendi Klosi që mori rezultatin më të mirë. Saimir Tahirit, shokut tënd të ngushtë i ankoheshe jashtë kamere pse su bëre ministër ndërsa ia ngule thikën më keq se Saliu”, iu drejtua Rama deputetit Blushi.

Ndërsa Deputeti Ben Blushi gjatë fjalës së tij ka vijuar me akuzat e tij ndaj mazhorancës qeverisëse. Drejtuesi i LIBRA-s tha se Presidenti i ri nuk duhet të dali nga kjo mazhorancë pasi sipas tij ajo i ka të gjitha pushtetet.

Gjatë fjalimit nga foltorja, Blushi tha se doli në opozitë me vullnetin e tij të plotë pasi sipas tij kështu është shkëputur nga e keqja.

“Për çfarë arsyesh parlamenti është i bojkotuar nga 40% e vetave, reforma në drejtësi është e bllokuar, negociatat me BE u bllokuan në dhjetor, zgjedhjet mund të bojkotohen nga një pjesë e opozitës se në fakt nuk janë gjithë opozita këta. Çfarë duhet më shumë për krizë? Ka provuar se krizat kthehen në ortek. Jemi një vend ku ekonomia është shumë e brishtë dhe kund të rrokullohet kollaj, një end që humb vende pune, në periferi të BE, vend ku 3-4 vende përreth janë në krizë. Shihni Maqedoninë, Kosovën”, tha Blushi.

“Edhe sot pashë mazhorancën, shumicën që grindet për arsye që e thellojnë krizën nëse ndodhin. Kam katër vjet që flas për kanabisin dhe nuk kam hyrë në asnjë tender dhe as nuk hyj me koalicionin tuaj. Ministri i ri i Brendshëm duhet të vinte sot dhe të thoshte se çfarë plani ka për luftimin e kanabisit”, u shpreh Blushi.

“Nuk kam shpresë që kjo klasë politike mund të zgjidhë këtë krizë në mënyrë autonome. Ju mendoni se kjo nuk ka pse zgjidhet, mendoj se mund të zgjidhet dhe pse nuk ka shpresë. Ti kërkojë komunitetin ndërkombëtar të sjellë më shumë vëzhgues në zgjedhje. Roli i policisë është në dyshim për këto zgjedhje dhe nuk është rastësi pse u ndërrua Ministri i Brendshëm. Edhe partia e dytë e koalicionit është ankuar. Roli i policisë mund të jetë në monitorim më të madh. Dy momentet më delikate në muajt e ardhshëm janë zgjedhjet dhe kanabisi. Kufizimi i shpenzimeve në fushatë . Numërimi elektronik”, tha Blushi.

the authorE B