Sport

Koeman këshillon De Light se me cilin klub të nënshkruaj

Trajneri i Holandës, Ronald Koeman, thotë se Matthijs de Ligt duhet të lëvizë vetëm në një klub, ku t’i garantohet aktivizimi, sepse kështu mund të vazhdojë të zhvillohet. Talenti holandez është një nga më të kërkuarit e futbollit europian, pasi e ndihmoi Ajax-in të fitojë titullin e Eredivisie dhe të arrijë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, sezonin që u mbyll.

19-vjeçari do të marrë një vendim për të ardhmen e tij, sapo të përfundojë Liga e Kombeve, me Manchester United, Barcelona, Liverpool dhe PSG të interesuar për shërbimet e tij.

Koeman thotë se i ka dhënë mbrojtësit disa këshilla përpara një lëvizjeje të mundshme.

“Unë fola me Matthijs një javë më parë për të ardhmen e tij. Ajo që diskutuam është sekrete. Megjithatë, ajo që iu them të gjithë lojtarëve të rinj, kur duan të hedhin një hap përpara, është të zgjedhin klubin, që iu jep mundësinë të luajnë. Në këtë moshë të duhen patjetër minuta aktivizimi për t’u zhvilluar. Kjo është gjëja më e rëndësishme. Mënyra se si luan në klub është, gjithashtu, tejet e rëndësishme për të dhënë kontribut në kombëtare. Ai dhe familja, agjentët e tij dhe njerëzit që i qëndrojnë përreth do të marrin vendimin më të mirë për të”, thotë Koeman.

De Ligt ka të ngjarë ta fillojë së bashku me fituesin e Ligës së Kampionëve, Virgil van Dijk, në qendër të mbrojtjes së Holandës, në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve, këtë të enjte në Angli. FaktePlus