Sport

Prishtina me dy përforcime bombastike

Pasi e mbylli sezonin pa titullin e Ipko Superligës dhe pa atë të Kupës së Kosovës, Prishtina sot i ka zyrtarizuar dy superpërforcime, Endrit Krasniqin dhe Ahmed Januzin, me qëllim për të qenë edhe më garues sezonin tjetër, 2019/20.

Fillimisht, Prishtina bëri të ditur përmes një njoftimi të publikuar në rrjetin social Facebook se Endrit Krasniqi i është kthyer klubit kryeqytetas pas dy vitesh qëndrimi në Dritë, ku edhe ishte shpallur kampion i Kosovës në sezonin 2017/18, raporton Gazeta Express.

Endrit Krasniqi, 24 vjeç, i lindur më 26 tetor të vitit 1994, me Prishtinën ka qenë pjesë në 48 paraqitje duke shënuar 4 gola e 6 asistime.

“Në Prishtinë rikthehem vetëm për një arsye, e ajo çka kërkon Prishtina dihet. Thjesht me Prishtinën pres sezon fantastik, besoj shumë se do të na përputhen qëllimet, që nga garat kualifikuese në Evropë dhe në kampionat”, ka thënë Krasniqi.

“Tash na mbetët vetëm të kryejmë detyrën tonë. Ndërsa është e vërtet se bisedimet kanë qenë të gjata, sepse kisha edhe oferta tjera, por dihet që Prishtina është Prishtinë dhe vendosa të rikthehem sërish në gjirin tim”.

“Ekipin e njoh, pothuajse shumica e futbollistëve janë të njëjtë nga koha kur isha këtu, me pak ndryshime, jemi ekip i mirë dhe me punë besoj shumë do t’i arrijmë objektivat, sepse edhe klubi e ka seriozitetin e duhur për të qenë gjithë këta futbollistë të mirë së bashku”.

Vetëm disa minuta më vonë, Prishtina bëri të ditur se e ka kthyer në kryeqytet edhe Ahmed Januzin, i cili këtë sezon me Llapin i shënoi 13 gola.

30-vjeçari ishte mbresëlënës me paraqitjet e tij këtë sezon dhe kjo ka bërë që Prishtina ta kërkojë kthimin e tij. Januzi i kishte shënuar 14 gola në 61 paraqitjet me Prishtinën.

“Ka qenë dëshirë e dy palëve, edhe e Prishtinës edhe e imja dhe jam shumë i kënaqur që kthehem sërish. Kam nderin që do të luaj sërish me këtë fanellë pranë shokëve të mi që deri dje për një vit i kam pasur kundërshtar, por tani sërish ambiciet i kemi të përbashkëta dhe shpresoj shumë që ato do t’ia arrijmë së bashku, sidomos kam shumë besim në kualifikimet e Evropa Ligës”, ka thënë Januzi.

“Ekipi është ruajtur ashtu siç e kam lënë unë, përpos shumë pak ndryshimeve kualitative. Edhe ardhja apo kthimi i Endritit është shumë e qëlluar, ndjehemi faktikisht si në shtëpinë tonë. Thash, shpresoj shumë se do të kemi sukses, me angazhim maksimal, sepse ekipi është i mirë dhe vetëm sa është përforcuar edhe më shumë”.

“Patjetër që me një trajner si Josa i cili është me shumë cilësi dhe me vlera të mëdha njerëzore do të dijë të na mbaj të grumbulluar ashtu siç din ai më së miri”, tha Januzi me rastin e nënshkrimit të kontratës me bardhekaltrit”. /Gazeta Express/

the authorBurbuqe Metolli