Rio Ferdinand i ka dhënë një këshillë lojtarëve të Manchester United se si ta ndalin sonte Leo Messin.
Manchester United dhe Barcelona do ta zhvillojnë sonte ndeshjen e parë çerekfinale në kuadër të Ligës së Kampionëve.
Legjenda e ‘Djajve të Kuq’, Rio Ferdinand u ka dhënë një këshillë lojtarëve të ish-skuadrës së tij se si mund ta ndalin jashtëtokësorin e katalonasëve, Leo Messi.
“Barcelona e ka një mënyrë specifike të lojës, e cila bazohet në posedimin e topit dhe ata të bëjnë shumë presion kur ti je në posedim të topit. Kështu që Manchester Unitedi duhet të jetë i kujdesshëm për këtë gjë”, ka thënë Rio Ferdinandi për BT Sports, transmeton lajmi.net.
“Por, gjithçka do të vendoset nga ai njeriu i vogël, Messi. Si duhet ta ndalin atë dhe si duhet të përballen me të? Ata nuk duhet t’i japin atij shumë hapësire. Nëse i dhanë hapësirë për të lëvizur, ai do të shkaktojë probleme të mëdha.
“Ajo që lojtarët duhet ta bëjnë është të sigurohen që të mos mbeten të mahnitur nga ai. Ai është një superyll, një legjendë, një prej më të mirë në këtë sport, por ata duhet ta largojnë këtë gjë nga mendja dhe nëse e arrijnë këtë, veçse e kanë bërë gjysmën e punës.
“Gjysma e betejës është lufta mendore para ndeshjes. Jam i sigurt se Ole [Gunnar Solskjaer] do ta ketë një plan për Messin në mënyrë që ai të mos mbetet një kundër një me ndonjë mbrojtës apo portier.”, ka shtuar më tej ai. /Lajmi.net/





















