Sport

El Clasico: Një super Barcelonë dominuese ndaj Real Madridit në pjesën e parë

Barcelona e ka fituar pjesën e parë ndaj Real Madridit duke shënuar dy herë në El Clasicon e parë të sezonit 2018/19 në “Camp Nou”.
Në një El Clasico pa prezencën e Lionel Messit apo Cristiano Ronaldos për herë të parë në dekadën e fundit, i pari i lënduar ndërsa i dyti tani lojtar i Juventusit, katalonasit nuk e çanë kokën dhe e nisen furishëm takimin, raporton Gazeta Express.

Philippe Coutinho realizoi për 1-0 në minutën e 11-të, pas një super aksioni të përcjellë me pasimin fantastik të Jordi Albas.

Vetëm njëzet minuta më vonë, Luis Suarez e dyfishoi epërsinë duke realizuar nga penalltia, të cilën e fitoi edhe falë ndihmës së VAR-it, pasi gjyqtari dha penallti vetëm pasi u konsultua me video asistentin e referit.

Skuadra e Ernesto Valverdes e kontrolloi takimin duke pasur posedim shumë të lartë të topit, 62%, krahasuar me 38% të vizitorëve. /Express/