Sport

Dështaku i Chelseat dhe Milanit: Do ta dëshmoj veten

​Mesfushori i Chelseat i huazuar në Milan, Tiemoue Bakayoko, i ka siguruar tifozët e klubit italian se ai do të përmirësohet me kalimin e kohës pasi që i nevojitet më shumë kohë për t’u përshtatur me klubin dhe ligën e re.
Francezi e kishte pasur mjaft të vështirë edhe sezonin e kaluar në Chelsea, dhe për shkak që nuk arriti të zë vend në formacion të parë me paraqitjet e tij, klubi londinez vendosi ta huazojë në Milan për këtë sezon, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, ai nuk ka arritur të performojë më mirë as për Milanin dhe mediat italianë kanë raportuar se kuqezinjtë nuk do ta blejnë atë në fund të huazimit, por do ta kthejnë në Chelsea.

“Më kanë pritur shumë mirë. Është një grup i mirë dhe integrimi im këtu ka shkuar mirë deri më tani. Jam duke tentuar të përshtatem me mënyrën se si luaj. Unë ende nuk e kam dhënë më të mirën time”, ka thënë Bakayoko.

“Do të ishte mirë të luaja pak më shumë, por unë tashmë kam parë disa përmirësime. Shumë gjëra kanë ndryshuar, është një ligë e re dhe një stil i ri i futbollit, por unë po tentoj ta jap më të mirën. Me kalimin e kohës do ta shihni Bakayokon për të cilin po flisni”. /Gazeta Express/

the authorBurbuqe Metolli