Me një ceremoni solemne, studentët e Fakultetit të Infermierisë të Kolegji AAB nënshkruan kontratat e para të punës me partnerët gjerman DKV Pflegedienste und Residenzen GmbH, respektivisht miCura Pflegedienste und Residenzen GmbH.
Me këtë rast, prorektori për mësim i Kolegjit AAB, z. Shemsedin Vehapi, në fjalën e tij tha se me nënshkrimin e këtyre kontratave nuk do të përfitojnë vetëm studentët e AAB-së por edhe sistemi arsimor i Kosovës.
“Kjo që sot po konkretizohet me nënshkrimin e 18 kontratave të para në mes studentëve të Kolegjit AAB dhe kompanive gjermane është e rëndësishme për shumë aspekte. Rëndësia e parë natyrisht është për ata që kanë nënshkruar kontratë dhe janë përfituesit e mundësisë që të sigurojnë punë në Gjermani, përfituesi i dytë natyrisht që është AAB-ja sepse përfshirja e moduleve të harmonizuara me modulet gjermane i jep një vlerë të shtuar programit tonë të Infermierisë dhe përfituesi i tretë natyrisht që është sistemi arsimor i Kosovës. Me këtë që po ndodh sot me studentët e AAB-së sistemi ynë arsmor e fiton një ligjimitet, e fiton një njohje nga një sistem arsimor i qëndrueshëm në Europë”, tha prorektori Vehapi.
Të pranishëm në ngjarje ishin edhe përfaqësuesit e kompanive gjermane, ku përfaqësuesja e kompanisë DKV Pflegedienst und Residenzen GmbH u shpreh mjaft e lumtur që disa nga studentët kanë arritur që të nënshkruajnë kontratat me kompanitë e tyre dhe gjithashtu shtoi se si punëdhënës do të jenë të gatshëm të ju ndihmojnë si në jetën e përditshme edhe në atë profesionale.
Kurse, në këtë rast Znj. Bruggemann kumtoi edhe një lajm të ri dhe mjaft të rëndësishëm për studentët e Fakultetit të infermierisë të Kolegjit AAB.
“Më lejoni t’ ju kumtoj një lajm të ri: dje ia dolëm të krijojmë edhe dy kurse të reja të gjuhës, një kurs sa i përket përkujdesjes shtëpiake dhe një kurs për klinikë. Emrat dhe fillimi i kursit të gjuhës do të kumtohen së shpejti. Për ne është e rëndësishme sepse kompanitë tona kërkojnë studentë të aftë që pastaj edhe do të angazhohen në Gjermani”, shtoi Bruggemann.
Ndërsa dy përfaqësuesit e tjerë nga Republika e Bayer-nit, Benjamin Schaffirna udhëheqës i degës së Klinikës në Nürnberg dhe Michael Stier, përfaqësues i degës së Klinikës në München falënderuan Kolegjin AAB për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe gjithashtu uruan të kenë bashkëpunim më tutje edhe me studentë të tjerë.
Kurse, Blerina Osmani, drejtoreshë ekzekutive e kompanisë “Lingua”, tha se kontrata është vetëm një nisje por edhe një ndryshim i madh për të gjithë.
Ceremonia përfundoi me nënshkrimin e kontratave nga studentët me partnerët gjermanë DKV Pflegedienste und Residenzen GmbH, respektivisht miCura Pflegedienste und Residenzen GmbH.