Aktuale

Ujërat e zeza përsëri derdhen në Liqenin e Badovcit

Impianti për grumbullimin e ujërave të zeza, në fshatin Mramor, që është ndërtuar para një viti me qëllim të filtrimit të ujërave të zeza, sipas banorëve të këtij fshati nuk funksionon tërësisht.
Ky impiant për grumbullimin e ujërave të zeza të fshatit Mramor është financuar nga Qeveria Çeke, në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës.

Impianti është ndërtuar më 15 qershor të vitit 2017. Marrëveshja me banorët e fshatit Mramor ka qenë largimi i ujërave të zeza nga shtëpitë e tyre, filtrimi i ujërave të zeza ku pastaj i njejti ujë të shkarkohet në lumin i cili e mbushë Liqenin e Badovcit.

Banorët e fshatit Mramor, thonë se ky impiant jo vetëm që nuk funksionin siç duhet tash e një vit, por edhe kutërbon.

“Uji të cilin na kanë premtu se ka me dalë i pastër nga impianti pas filtrimit, i ka mbytur të gjitha gjallesat në lum ditën që filloi të derdhej. Gjithashtu vjen erë shumë e keqe”, ka thënë një banor i këtij fshati për Gazetën Express.

Krejt çka kanë fituar banorët e fshatit Mramor nga ndërtimi i këtij impianti është largimi i ujërave të zeza nga shtëpitë e tyre. Ndërsa tani edhe pak ditë bëhen një vit që gjithashtu vazhdon ndotja e ujit të Liqenit të Badovcit.

Ndryshe nga banorët thotë Drejtori Teknik i Ujësjellësit Rajonal Prishtina, Sokol Xhafa, i cili ka shpjeguar për Gazetën Express, se mënyra e trajtimit të ujërave të zeza dhe ujit të pijshëm dallon.

I pyetur se çfarë ndodhe me ujin e pa filtruar që shkarkohet në liqe, ai ka thënë se është e saktë që ai ujë shkarkohet në liqe, por që ujin e pijshëm ata e filtrojnë.

“Ujërat e zeza nuk filtrohen, ato trajtohen me trajtim biologjik quhet ai trajtim, ndërsa uji i pijes filtrohet, ujerave te zeza u bëhet tjetër trajtim. Muj me të siguru qe ai impiant punon, përveç ne raste kur nuk ka rrymë, punon gjatë gjithë kohës”, ka thënë ai për Express.

Por këtë gjë nuk e dëshmojnë fotografitë e bëra në po të njëjtin vend. Aty shihet se edhe gypi me ujë të filtruar, edhe ai me ujëra të zeza, të dy derdhen në Liqenin e Badovcit.

Ndërsa qëllimi i krejt këtij projekti ka qenë që ujërat e zeza që më parë janë derdhur direkt nga shtëpitë e banorëve të fshatit Mramor në liqe, të mos derdhen, por të bëhet zgjidhje për këto ujëra, kur e dimë se nga ky liqe furnizohen me ujë 30 për qind e banorëve të Prishtinës, po ashtu furnizohen edhe Hajvalia, Veterniku, Graçanica dhe Kishnica./GazetaExpress/

the authorE B