Aktuale

Kosova arsyetohet që nuk e njoftoi Malin e Zi për Demarkacionin, ka veç edhe 1 ditë

Mediat kosovare raportuan sot se Kosova akoma nuk e ka njoftuar zyrtarisht shtetin malazez për ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me këtë shtet.
Duke cituar autoritetet malazeze, mediat sqaronin se s’i Ministria e Punëve të Jashtme kishte lënë pasdore këtë gjë

Mirëpo, i menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrisë që punë kryesore e ka marrëdhënien diplomatike me shtetet e tjera. Ministria e udhëhequr nga Pacolli tha se sipas ligjit ka afat 15 ditë nga publikimi në Gazetën Zyrtare, ndërkohë që bëri të ditur se në këtë Gazetë është publikuar më 15 maj.

“Ministria e Punëve të Jashtme sqaron opinionin publik se njoftimi zyrtarë ndaj Institucioneve respektive të Republikës së Malit të Zi në lidhje me përfundimin e të gjitha procedurave të brendshme ligjore të ratifikimit të Marrëveshjes mbi kufijtë shtetërorë të mes të dyja vendeve do të bëhet brenda afatit të përcaktuar Ligjor, respektivisht 15 ditë pas publikimit të kësaj Marrëveshje në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e MPJ.

“Publikimi i Ligjit mbi ratifikimin e Marrëveshjes së lartpërmendur është bërë në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës më 15 Maj, 2018”, vazhdon përgjigja e MPJ, duke lënë të nënkuptohet se ka mbetur vetëm edhe një ditë për ta kryer këtë procedurë.
Ndërkohë, MPJ është zotuar se do ta përfundojë në afatet ligjore procesin e njoftimit zyrtar të autoriteteve malazeze, duke bërë kështu që marrëveshja të hyjë në fuqi.
Ndryshe, Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi u votua në Kuvend më 21 mars. Kjo marrëveshje ishte bërë kriter për procesin e liberalizimit të vizave.

the authorE B