Sport

Shkoi me entuziazëm në Shqipëri, u kthye i dëshpëruar

Kishte shkuar me entuziazëm nga Prishtina në Shqipëri, me shpresën se atje do ta gjente “parajsën”. Por, Blend Baftiut nuk i doli ashtu siç kishte pritur, eksperienca shqiptare.

Talenti kosovar, Blend Baftiut, ishte transferuar tek Skënderbeu me shpresën se atje do ta gjente “parajsën” dhe se do të bënte hapa gjigantë në zhvillimin e karrierës, por atje vetëm se ngeci.

Dhe, më e keqja ndodhi pasi e informoi klubin se po largohej, për t’u rikthyer në vendlindje, ku i ishte bashkuar FC Prishtinës, më 1 qershor të këtij viti.

Talenti kosovar e hoqi “të zinjtë e ullirit” për ta siguruar fletëlëshimin nga klubi i Superiores, i cili ‘me inat’, e mbante peng qe më shumë se tre muaj.

Vetëm këtë fillim jave mesfushori ofanziv e ka siguruar fletëlëshimin, i cili ia hap rrugën që të luajë në futbollin kosovar.

Babai Xhemajli, e tregon historinë e Blendit, të cilin e la peng një fletë, për inate të paarsyeshme.

“E kishim dërguar Blendin në Shqipëri me shpresën se do ta kishte mundësinë të zhvillohej dhe të përparonte. Por, nuk doli kështu. Ai stërviste me ekipin e parë, por gjërat nuk dolën siç mendonim. Ne po mendonim se ai s’po zhvillohej dhe frikësoheshim se ai nuk ishte vendi i duhur për të”, deklaroi babai i futbollistit.

“Gjatë pesë muajve, ata ia kishin hequr fjetjen dhe ushqimin. E pasi vendosëm që Blendi të largohej, ata filluan të vepronin me inat. Nuk na jepnin fletëlëshimin me arsyetimin se kanë kontribuuar dhe investuar në zhvillimin e djalit dhe se kishim obligime ndaj tyre. Madje, presidenti i klubit kur ka ardhur në Kosovë, më ka thënë se as për Salihin nuk do të shkonte në një vend tjetër. Dhe, ai u largua pa më përshëndetur dhe pa ma dhënë as dorën”, vazhdoi Baftiu senior.

Ndërkaq, vetë talenti kosovar i këshillon futbollistët e rinj të mos kalojnë në futbollin shqiptar, pasi nuk është ashtu siç e paramendojnë.

“Sidomos futbollistët e moshës sime, nuk duhet të shkojnë në Shqipëri pasi është një rrezikim, sepse nuk mund të gjejnë hapësira. Brenda 2-3 vjetësh, nuk do t’ia vlejë të shkojmë në Shqipëri, pasi do të jemi të njëjtë me kushte”, ka shtuar ai. Rasti i Baftiut nuk është i vetmi.

Në të kaluarën, edhe lojtarë të tjerë si Adnan Haxhaj, Kreshnik Lushtaku, Viktor Kuka etj, ishin ankuar për kushtet jo të mira dhe premtimet e parealizuara të klubeve shqiptare karshi tyre.