Aktuale

Haskuka: Te deportimi i ‘gylenistëve’ ka pasur shkelje

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, në një ligjëratë për studentët e Kolegjit AAB, tha se te çështja e deportimit të shtetasve turq, ka pasur shkelje procedurale nga institucionet e vendit.

“Këtu ka pas shkelje dhe u dasht me i diskutu ato shkelje, e jo me diskutu kush, gjëra të tjera. Nuk është produktive për shoqërinë tonë me u marrë me çështje të shteteve të tjera, por nëse janë shkelë procedurat, ne duhet të diskutojmë pse janë shkelë ato procedura”, tha Haskuka.

Ai këto ngjarje i quajti si shqetësuese, pasi që sipas tij, në Kosovë po sponsorizohen shumë tema të cilat po krijojnë ndasi brenda shoqërisë, të cilat nuk janë në rregull.

Kryetari Haskuka në këtë ligjëratë foli edhe për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ku tha se është e papranueshme si për të, ashtu edhe për Lëvizjen Vetëvendosje që ky asociacion të bëhet sipas kërkesës së Beogradit, pasi që kjo sipas tij po e “bosnjizon” Kosovën.

“Ekziston Asociacioni i Komunave të Kosovë. Ka shumë kompetenca, si psh. nga asociacioni kam bërë disa kërkesa që me i adresu në Qeveri dhe ashtu që komunat ta kenë punën më të lehtë. Nëse disa komuna dëshirojnë me kriju asociacione vetanake, atëhere duhet t’i bëjnë njëjtë si asociacioni i komunave të Kosovës, të regjistrohen si OJQ, të cilat do të kenë disa benifite, do të kenë një derë të hapur me qeveri dhe të financohen ashtu si financohet Asociacioni i Komunave të Kosovës. Ashtu si po kërkohet nga Beogradi, jemi kundër totalisht. Edhe ashtu si është paraparë me ‘Marrëveshjen e Brukselit’, jam kundër dhe do të jem kundër, ngase e bën bosnjizimin e Kosovës, me një emër si OJQ, por në fakt me kompetenca shtetërore”, tha Haskuka.

Kryetari Haskuka foli edhe rreth projektit të teleferikut ku ai tregoi pse është ndaluar ky projekt dhe tregoi për vështirësitë që i ka pasur për të bindur partnerët e tij të koalicionit që ky projekt duhet të ndalohet.

“Teleferiku për Kalanë e Prizrenit ka qenë projekt edhe më herët dhe unë personalisht kam menduar që mundet të bëhet diçka që do t’ua lehtësonte qytetarëve të shkojnë në kala. Kur e kam parë projektin, edhe gjatë fushatës e kam menduar që ta ndaloj, sepse e shkatërron qendrën historike të Prizrenit. Qendra historike e Prizrenit është e mbrojtur me dy ligje, një është “Ligji për trashëgimi kulturore” dhe tjetri është “Ligji për qendrën historike të Prizrenit”. Përveç këtyre dy ligjeve ka pasur edhe gjëra tjera që nuk kanë qenë në përputhje me rregulloren dhe me ligjet në fuqi dhe unë vendosa që të mos ta vazhdoj projektin”, u shpreh ai.

Gjithashtu, kryetari i Prizrenit nuk la pa përmendur edhe problemet që ka Kosova me korrupsionin dhe ai tregoi se kush e ka fajin për këtë problem.

“Të gjitha qeverisjet në Kosovë më shumë i kanë dhënë llogari Brukselit dhe qendrave të tjera, sesa qytetarëve të Kosovës. Për shkak se ka ndodh kjo, ne kemi këtë shkallë të lartë të korrupsionit dhe problematikat e mëdha që i kemi edhe me gjykata dhe me këtë qeverisje”.

Në pjesën e fundit të kësaj ligjërate u zhvillua edhe një debat, ku studentët e Kolegjit AB parashtruan pyetje të ndryshme, të cilave iu përgjigj kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Cikli i “Debateve për Qeverisjen Lokale në Kosovë” në Kolegjin AAB do të vazhdojë edhe në ditët ardhshme me të gjithë kryetarët e komunave të Kosovës. Deri më tani kanë qenë pesë kryetarë të komunave: Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri; kryetari i Gjilani,t Lutfi Haziri; kryetari i Gjakovës, Adrian Gjini; kryetari i Ferizajt, Agim Aliu dhe sot kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka . /Gazeta KNN/

the authorE B