Aktuale

Koordinohen për parandalimin e korrupsionit

Prioritetet kryesore i Prokurorit të Shtetit janë ndjekja e suksesshme e veprave penale që ndërlidhen me krim të organizuar dhe kundër ekonomisë.

Kështu tha kryeprokurori i Shtetit, Aleksandar Lumezi gjatë një takimi që pati sot me drejtorin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havollin, drejtorin për Parandalimin e korrupsionit, Afrim Atashi, si dhe drejtorin e Departamentit për Luftimin e korrupsionit, Blerim Kelmendi.

Në kuadër të veprimeve të përbashkëta, kryeprokurori Lumezi dhe drejtori Havolli, kanë diskutuar për zbatimin dhe mbikëqyrjen e Strategjisë Kombëtare Kundër Korrupsionit 2018 – 2022, për plotësimet dhe ndryshimet e pritura në legjislacionin kundër korrupsionit.

 
Po ashtu në takim u diskutua edhe për aspektet që ndërlidhen me parandalimin dhe eliminimin e shkaqeve të korrupsionit përmes deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik.

Lumezi ka theksuar se mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, të ardhurave, dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare është vepër penale, dhe se Prokurori i Shtetit, do të ndërmarr ndjekjen penale ndaj atyre që nuk deklarojnë apo bëjnë deklarim të rrejshëm të pasurisë.

the authorE B