Sport

Hysaj e Celina, në mesin e yjeve të eliminatoreve për Botërorin 2018

The Guardian ka publikuar listën prej 10 talenteve që duhet vëzhguar gjatë kualifikueseve të Botërorit 2018. Në mesin e tyre janë Elseid Hysaj i Shqipërisë dhe Bersant Celina i Kosovës.

Dy shqiptarë janë mes yjeve të rinj dhe që duhen mbajtur nën vëzhgim gjatë kualifikueseve të Botërorit 2018. Fjala është për Elseid Hysajn, mbrojtësin e djathtë të Kombëtares shqiptare dhe Bersant Celina, sulmuesin e përfaqësueses së Kosovës.

Dy lojtarë tejet të rëndësishme në skuadrat ku luajnë, por ajo që është më kryesorja, të dy idhuj të shqiptarëve kudo nëpër botë, për arritjet e jashtëzakonshme sportive, pavarësisht karrierës ende të re.

Hysaj dhe Celina u përfshinë në listën e tabloidit britanik, “The Guardian”, mes 10 talentëve europianë që pritet të jenë protagonist gjatë këtij edicioni kualifikues.

Mbrojtësi 22-vjeçar i Napolit është një prej lojtarëve të rinj më të kuotuar në kontinent. Pas shkëlqimit të sezonit të kaluar në Serinë A, Hysaj nxiti interesin e klubeve më të mëdha europiane, nga Anglia, Spanja dhe Gjermania.

Shkodrani mbetet një prej elementëve kyç të Kombëtares dhe së bashku me pjesën tjetër të kuqezinjve do të kërkojnë ti japin vazhdimësi përfaqësimit historik të Shqipërisë, në finalet e Kampionatit Europian.

Misioni i kuqezinjve drejt Botërorit 2018 nis me ndeshjen e kësaj të hëne në Shkodër ndaj Maqedonisë. Në listën ku të pranishëm janë edhe Marco Asensio i Spanjës, Ousmane Dembélé i Francës, por edhe portieri italian, Gianluigi Donnarumma dhe Breel Embolo i Zvicrës, nuk mund të mungonte një prej yjeve më premtues të kampionatit anglez, Bersant Celina.

I huazuar në këtë sezon nga Manchester City te Twentte në Holandë, sulmuesi dhe përfaqësuesja e Kosovës kanë tërhequr vëmendjen e ndërkombëtarëve, për debutimin historik në fushën e Finlandës.

I lindur në Prizren, por i shpërngulur në Norvegji prej moshës së vogël, Celina zgjodhi të luajë për vendin e tij. Mbetet për t’u parë nëse rezultatet pozitive të Kosovës do të jenë apo jo të menjëhershme, por pavarësisht kësaj 19-vjeçari duhet të tregojë se ka potencialin të shndërrohet në yll dhe mund t’a udhëheqë skuadrën e Albert Bunjakit në kualifikueset e Botërorit 2018.