Aktuale

Presidenti Thaçi: Isha i gatshëm ta vizitoja Isa Mustafën, fola me të në telefon

Presidenti Hashim Thaçi thotë se ka folur në telefon me ish-kryeministrin Isa Mustafa, i shtrirë në spital për më shumë se një javë, pasi i është përkeqësuar gjendja edhe pse fillimisht ishte i sëmurë nga gripi. Presidenti Thaçi tregon t’i ketë ofruar përkrahje për shërim ish-kryeministrit
Përmes një postimi në Facebook, Thaçi ka treguar se është në kontakt me Mustafën, qëkur e ka kuptuar se është në spital.

“Që nga momenti i informimit për gjendjen shëndetësore të ish-kryeministrit Isa Mustafa vura kontakt me bashkëpunëtorët dhe familjarët e tij. Shpreha gatishmërinë për ta vizituar, por procedurat e trajtimit të tij nuk ma mundësuan një gjë të tillë”, ka shkruar Presidenti.

Ai ka treguar se ka biseduar në telefon me Mustafën dhe i ka ofruar përkrahje në shërim, kurdo që kjo të jetë e nevojshme.

Mustafës, Presidenti i ka uruar shërim të shpejtë, që sa më parë t’i kthehet familjes së tij si dhe obligimeve institucionale.

Ish-kryeministri u shtri në një spital privat para një jave, për shkak të një gripi. Gjendja e tij u komplikua dhe Mustafa pritet që sot të niset për në Gjermani për trajtim të sëmundjes, që dyshohet të jetë sindroma “Guillain-Barré syndrome”.

Sindroma GBS është një çrregullim në të cilin sistemi imunitar i trupit sulmon një pjesë të sistemit nervor periferik.

the authorE B