Skuadrat më të mëdha dhe më të pasura të Evropës pritet të forcojnë kontrollin e tyre mbi formatin dhe përfitimet e së ardhmes në Ligën e Kampionëve.
Një marrëveshje, e cila është duke u përgatitur nga UEFA, pritet t’u japë fund kërcënimeve nga disa klube elitare të cilat kishin paralajmëruar mospjesëmarrjen në Ligë të Kampionëve dhe formimin e një Super Lige Evropiane para vitit 2021, transmeton Express.
Megjithatë, marrëveshja e UEFA’s siguron se më shumë vende të garantuar në fazën e grupeve prej 32 ekipeve dhe përfitime më të madhe parash do të shkojnë tek ekipet si Real Madrid, Barcelona dhe Juventus çdo sezon nga katër ligat e rangut më të lartë në Evropë.
Pak orë para shortit për fazë të grupeve këtë të enjte, një seri takimesh mes klubeve dhe anëtarëve të komitetit ekzekutiv të UEFA’s do të mbahen në Monako, ku pritet të bihet dakord për ndryshime në vendet e caktuara hyrëse për sezonet 2018-2021.
UEFA dhe Shoqata Evropiane e Klubeve nuk kanë komentuar për raportet se ligat kryesore në Spanjë, Gjermani, Angli dhe Itali do të kenë nga katër skuadra të kualifikuara direkt e në fazën e grupeve në Ligë të Kampionëve.
Në një komunikatë dërguar AP’s, UEFA ka thënë se pret që të njoftojë për evoluimin e Ligës së Kampionëve gjatë një konference për media të premten që vjen, përcjell Express.
Nga kjo marrëveshje, duket se klubet italiane do të jenë fituesit e mëdhenj. Series A do t’i ofrohet që t’i ketë katër ekipe që hyjnë direkt në fazën e grupeve, krahasuar me tani që vetëm tri skuadra mund të luajnë në Ligë të Kampionëve.
Po ashtu, nga kjo marrëveshje çdo ekip që merr pjesë në fazën e grupeve do të përfitojë nga 12 milionë euro si bazë. Fituesi i Ligës së Kampionëve mund të fitojë rreth 100 milionë euro nga UEFA kur shtohen rezultatet e banuesve dhe të drejtat televizive.
Kjo marrëveshje mund të nënshkruhet këtë të enjte në një hotel me pesë yje në Monte Karlo.