Sport

“Shaqiri është lojtar i madh”

Hughes pret më shumë nga Shaqiri në pjesën e mbetur të këtij edicioni në Premierligë.

Trajneri Mark Hughes pret nga Xherdan Shaqiri ta marrë rolin kryesor te skuadra e Stoke Cityt, transmeton Gazeta Express.

Ai dëshiron nga Shaqiri të jetë lider i ekipit, ashtu siç është edhe te përfaqësuesja e Zvicrës.

Shaqiri e ndihmoi Zvicrën për t’u kualifikuar në kampionatin botëror “Rusia 2018”.

“Forma dhe niveli i tij i përgjithshëm në stërvitje ka qenë i shkëlqyer që në start të këtij sezoni”, tha trajneri i Stoke City.

“Nuk është e lehtë për lojtarët kreativë të shpërthejnë menjëherë në Premierligë. Bëhet fjalë për një lojtar të madh dhe të talentuar dhe sigurisht që presioni është i madh”, shtoi ai.

“Tani Shaqiri e ka kuptuar dhe kjo është arsyeja pse edhe ekipi ka ngritur nivelin. Çdo ekip ka nga një lojtar që shtyn ekipin para dhe Shaqiri është ai lojtar në ekipin tonë”, theksoi mes tjerash Hughes në një konferencë për media.

Mesfushori 26-vjeçar këtë edicion ka shënuar dy gola dhe ka kontribuar me katër asistime në dhjetë paraqitje.

Shaqiri u transferua te Stoke City në verën e vitit 2015 nga Interi. Karrierë ka bërë edhe te Bayern Munich ku edhe e ka fituar Ligën e Kmapionëve. /Gazeta Express/