Aktuale

MKRS jep një përgjigje për aktorët e Teatrit Kombëtar që nisën grevën

Aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës kanë paralajmëruar se do të bllokojnë repertoarin nëse nuk u nivelizohen pagat me ato të profesorëve të Universitetit. Ata madje kanë nisur një gerevë përmes rrjeteve sociale. “Veç po ju kqyrim” është shprehja që aktorët kanë vendosur me hashtag në llogaritë e rrjeteve sociale të tyre.

Lidhur me këtë, Indeksonline ka kontaktuar me Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sportit.
Sipas Samir Hoxhës, këshilltar politik i ministrit Kujtim Gashi, MKRS është duke bërë shqyrtimin e Rrregullores për Pagat e Krijuesve dhe Performuesve në Kulturë, ne bazë të të cilit do të shqyrtohet buxheti dhe do të gjendet një zgjidhje për aktorët.

Deri atëherë, MKRS u ka bërë thirrje aktorëve që ta vazhdojnë punën e tyre.

“Marr për bazë faktin se rritja e pagave nuk është në kompetencat e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, megjithatë Ministri Gashi mbetet i përkushtuar që ta adresoj kërkesën e sindikatës së aktorëve të teatrit Kombëtar tutje, andaj me këtë rast i ftojmë edhe aktorët e Teatrit Kombëtar që të vazhdojnë punën e tyre dhe të bëhen pjesë e përpjekjeve tona për ta adresuar çështjen në Qeverinë e Republikës së Kosovës.Gjithashtu , ne jemi duke e shqyrtuar Rregulloren për Pagat e Krijuesve dhe Performuesve të Kulturës dhe Punonjësve Profesional të Trashëgimisë Kulturore dhe brenda mundësive buxhetore do të bëjmë përpjekjet tona që të gjejmë një zgjidhje për këto kategori”, ka deklaruar ai.

Hoxha ka bërë me dije se MKRS e vlerëson si të drejtë kërkesën e aktorëve për rritjen e pagave dhe së shpejti do të zhvillohet edhe një takim me ta për këtë çështje.

“Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit z. Kujtim Gashi, ndër takimet e para që ka zhvilluar me ta marrë detyrën është takuar me përfaqësuesit e Sindikatës së Teatrit Kombëtar me ç’rast është njoftuar rreth kërkesës që kanë aktorët e Teatrit Kombëtar për rritje të pagave. Ministria e Kulturës, kërkesën e aktorëve të teatrit e konsideron si të drejtë dhe legjitime, andaj së shpejti Ministri Gashi, do të zhvilloj edhe një takim me aktorët e Teatrit Kombëtar me qëllim të dialogimit për gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate”, ka thënë ai për “Indeksonline”.

Kujtojmë se aktorët e TTK-së kanë paralajmëruar se të premten do të mbajnë një konferencë për media./Indeksonline/

the authorE B